Aktualitet

Pas motrave Nikolli, tritol edhe në Pogradec/Mesazh për të “kyçur” gojën?

Shpërthim tritoli në Pogradec, nuk ka të lënduar, por dëme materiale. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 të mëngjesit, në sheshpushimin e një pallati mes dy kateve të para. Objektiv ishte një shtetas, i cili rezulton i dënuar 5 herë në 13 vitet e fundit. Policia njofton se nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Rreth orës 02:30, në sheshpushimin e një pallati midis katit të parë dhe katit të dytë,  në afërsi të banesës së shtetasit M.B është hedhur një sasi e vogël lëndë plasëse dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Duket se shënjestër ishte shtetasi Meardi Berberi. 38-vjeçari ishte pjesë e grupit që në vitin 2020 sulmoi me armë Hotel “Volorekën” në Pogradec dhe la qelinë pasi përfitoi nga amnistia. Në të kaluarën, ai është dënuar për vepra të ndryshme penale duke nisur që nga plagosja e rëndë me dashje, prodhimi e armëmbajtja pa leje, si dhe kundërshtimi i forcave të policisë.

08.08. 2020 – “Prodhim dhe mbajtje pa leje i armëve luftarake”
10.02.2019 – “Kundërshtim i punonjësit të policisë”; “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”
20.06.2008 – “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Armbajtje pa leje”.
24.02.2018 – “Kanosje”; “Prishje e qetësisë publike”
24.04.2011 – “Plagosje e rëndë me dashje”

Banorët thanë se u frikësuan nga forca e shpërthimit të sasisë plasëse:

Shpërthim i fuqishëm shumë. Ne thamë, ra pallati. Ça u bë? Kur dola, pashë tym të zi. Pastrueset i hëngrën copat e tullave. Ajo ishte e tmerrshmja se ulërinë ato, atëherë dola. Policia erdhi vonë. Ishte tmerr fare, thashë si bëjnë ata nga Izraeli e nga Palestina. Unë thashë se na erdhi rusi.

Shpërthimi në Pogradec që mund të interpretohet dhe si një mesazh drejtuar Berberit ndoshta për të mos folur, pason atë të mbi një jave më parë në Elbasan ku objektiv ishte banesa ku jetonin me qira dy motrat Xhovana e Alda Nikolli, me këtë të fundit që akuzoi publikisht Nuredin Dumanin, me të cilin tha se ka patur një lidhje dashurore. Nga forca e shpërthimit, mbeti i plagosur rëndë fqinji i tyre, Enea Thomarai, të cilit i ra dera përsipër.