Publikohet shkresa që sot Prokuroria e Tiranës i ka dërguar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë e ku kërkon ekzekutimin e vendimit penal për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili po shkon drejt arrestimit. Dokumenti i firmosur nga prokurorja Elona Alvora vjen një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta dënuar atë me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Për shkak se Salianji është deputet, duhen ndjekur procedurat parlamentare. Urdhri i prokurorisë për ekzekutimin e vendimit ka shkuar në polici.
Ervin Salianji u dënua nga Apeli për kallëzim të rremë lidhur me çështjen Babale, për publikim përgjimesh false të Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa si i përfshirë në trafik droge. Deputeti demokrat e ka quajtur vendimin “politik”.
Të dashur miq!
Jam mirënjohës pa fund nga mbështetja juaj, nga solidariteti me praninë, me telefonatat e mesazhet.
Ky është një moment i vështirë për shtetin e së drejtës e sundimin e ligjit, për demokracinë, për të gjithë ata, mijëra burra e gra, të rinj e të reja me të cilët kemi bërë një udhëtim pa kushte në këto vite të vështira të përballjes me qeverisjen e keqe, arbitrare, të dhunshme, të korruptuar, të lidhur me krimin.
Po duhet t’ju them se asgjë, asgjë nuk është mbyllur. Është një përpjekje e ulët nën brez e tyre, që nuk do na ndalojë, nuk do na shkurajojë në përpjekjen tonë të madhe për një Shqipëri më të mirë.
Teksa sot po bëhen gati të zbatojnë urdhrin e Edi Ramës, vendimin e tij për të më izoluar, dhe të çojnë deri në fund përndjekjen politike, ata kurrë nuk do ja dalin të vendosin si normë se denoncimi i krimit, qenka faj.
Nuk do ja dalin kurrë ta vendosin rend, heshtjen e mbylljen e gojës. Dhe për këtë garancia e madhe jeni ju, demokratët e guximshëm, qytetarêt e lirë që më keni mbështetur në gjithë këto vite.
E vërteta do na bëjë më të mirë. Dhe e vërteta që po sulmohet, po goditet, po burgoset sot është se Edi Rama është produkt i krimit i bandave.
Sepse bëri Ministër të Brendshëm hetuesin e komunizmit dhe lidhjen mes bandave dhe tij, sepse përdori çdo institucion për ta mbrojtur e manipuluar çështjen. Sepse korrupsioni është i shtrirë ngado. Sepse me para të pista e me banditë ai blen vota e ruan pushtetit.
E vërteta është se asnjë qeveri nuk ja del të qëndrojë gjithnjë në këto themele të kalbura.
Të dashur miq!
Do të jemi bashkë çdo ditë dhe më të fortë. Do të jemi bashkë shumë shpejt e do punojmë me zemër e përkushtim për ta hequr këtë të keqe që i ka zëne rrugën vendit. Dhe do ja dalim.
Falenderime
Në këto çaste, Salianji ka dalë në një konferencë për shtyp.