Ministri izraelit i sigurisë Itamar Ben-Gvir, ka quajtur sot supermodelen amerikano-palestineze Bella Hadid një “armike e Izraelit” pasi ajo iu bashkua denoncimeve dhe zemëratës për komentin e tij se kolonizatorët izraelitë kanë më shumë të drejta sesa vendasit arabë në territoret e pushtuara. Ben-Gvir tha këtë javë në televizion se lëvizja e mbrojtjes së të drejtave të kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor është më e rëndësishme se të drejtat e palestinezëve. Komentet vijnë pas dy sulmeve ndaj izraelitëve në Bregun Perëndimor, në kundërpërgjigje të vrasjeve të vazhdueshme të ushtrisë izraelite gjatë bastisjeve në qytetet palestineze.
“E drejta ime dhe e familjes time për t’u vendosur në kolonitë e Judea e Samaria, është më e rëndësishme se lëvizja e lirë e arabëve,” tha mes të tjerash Ben-Gvir.
Komentet sollën reagime të ashpra si nga palestinezë dhe izraelitë që dëshmonin se Ben-Gvir, i partisë ultranacionaliste hebreje, i dënuar më parë nxitje urrejtjeje dhe mbështetjeje terrorizmi, është i vendosur për krijimin e një sistemi të “supremacisë hebreje” në territoret e pushtuara. Edhe departamenti shtetit iu bashkua kritikave duke i quajtur “retorikë raciste” dhe “komente inflamatore”.
Hadid, e cila ka lindur në SHBA nga një baba palestinez, iu bashkua kritikave ndaj Ben-Gvir në një koment në rrjetin Instagram.
Nuk ka as vend e as kohë kur jeta e një personi ka më shumë vlerë se ajo e një tjetri, aq më tepër prej etnisë, kulturës apo urrejtjes.
Hadid dhe motra e saj Gigi, gjithashtu modele, kanë shprehur shpesh mbështetjen e tyre për kauzën palestineze në postimet për miliona ndjekësit e tyre. Hadid kishte postuar më herët një video të aktivistëve izraelitë të të drejtave B’Tselem, ku ushtarët ndalonin hyrjen në një rrugë të qyteti Hebron në Bregun Perëndimor, pasi “ishte e rezervuar për hebrejtë”.
“A ju kujton diçka kjo?” shkruante modelja.
Ben-Gvir, i cili jeton në një koloni të qytetit të Hebron tha se nuk kërkonte ndjesë për komentin dhe dënonte Hadid duke e quajtur “urryese të Izraelit” dhe se ajo donte ta bënte të dukej “racist”. Por prej shumë vitesh Ben-Gvir reklamonte një portret në shtëpinë e tij të Baruch Goldstein, një ekstremist hebre amerikan, partia e të cilit Kach ka masakruar 29 palestinezë në një xhami të Hebron në vitin 1994. Ai kishte hequr portretin nga muri kur hyri në qeveri.