Ferrarit nuk i intereson nëse keni para të mjaftueshme për të blerë një ose disa nga makinat e tyre. Prodhuesi italian i makinave ka një ‘listë të zezë’ në të cilën përfshihen të famshmit që nuk mund t’i blejnë makinat e tyre dhe në këtë bëjnë pjesë edhe familja e famshme Kardashians.
Yjet si Justin Bieber, Floyd Mayweather dhe të famshëm të tjerë si familja Kardashian nuk mund të blejnë Ferrari. Sipas Ferrarit, nuk ka asnjë listë të zezë që ndalon njerëzit të blejnë makinat e tyre. Megjithatë, prodhuesi i makinave rezervon mundësinë për të zgjedhur me kujdes se kush ka akses në njësitë e tij më ekskluzive.
Së fundmi Ferrarit i erdhi në ‘majë të hundës’ nga këngëtari i njohur Justin Bieber. Marka e famshme italiane e makinave ka vendosur që të mos e lejojë më këngëtarin të ngasë asnjë nga mjetet e tyre. Arsyeja është sjellja e tij jashtë normave. Marka italiane u kërkon blerësve të saj që të respektojnë disa parime. Për shembull, të kujdesesh për makinën dhe të kesh sjelljen e duhur në timon.
Ndërkaq, çdo makinë Ferrari është e veçantë, por ka disa që janë më speciale se të tjerat. Mbi këto, janë makinat unike, që njihen si “one-off”, të krijuara për vetëm një klient. Rikujtojmë, se Unikja më e re e markës së famshme italiane është Ferrari SP48 Unica, një makinë e ndërtuar mbi bazën e Ferrari F8 Tributo, por krejtësisht e ridizenjuar për klientin fatlum. Me një motor V8 prej 720 kuajsh fuqi, kjo makinë arrin nga 0 në 100 km/h për vetëm 2,9 sekonda. Kush është pronari i saj? Sa ka kushtuar? Këto janë dy sekrete që me shumë mundësi nuk do të zbulohen kurrë!