Sport

Pas humbjes me Spanjën, kapiteni Gjimshiti: Faleminderit të gjithëve, të rinjtë janë e ardhmja!

Berat Gjimshiti, kapiteni i ekipit kombëtar të Shqipërisë, foli pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës që solli dhe fundin e rrugëtimit të kuqezinjve në “Euro 2024”. Gjimshiti kishte një falenderim për të gjithë e theksoi se është me rëndësi të ecin përpara.

E filloj nga ekipi, stafi, të gjithë që kanë qenë të pranishëm. Jam i lumtur për të gjithë ekipin për performancat që kemi treguar në fushë, jo shumë për ndeshjen e parë, ku u emocionuam. Falënderoj gjithë tifozët që na kanë përkrahur dhe mbështetur kaq shumë në çdo ndeshje.

Gjëja më e rëndësishme është që të shohim përpara. Patëm një grup ndër më të vështirët. Treguam ndeshje të mira. Kemi bërë gabime, por është një eksperiencë e madhe për ne. Për të gjithë që bënë Europianin e parë, siç jam edhe unë.

Të rinjtë do të mësojnë dhe do të përmirësohen shumë, deklaroi qendërmbrojtësi kuqezi.

Më herët ishte trajneri brazilian i Kombëtares, i cili vlerësoi paraqitjet e skuadrës kuqezi në duelet ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Sigurisht që dalim me kokën lart. Ishim në “grupin e vdekjes”, në një grup me kampionë Europe dhe Bote. Jam i trishtuar për rezultatin, por jo për paraqitjet. Kemi bërë mirë në të tri ndeshjet. Kemi luftuar gjithmonë deri në fund.

Kemi arritur në një pikë të rëndësishme në këtë Europian. Pamë 6-7 lojtarë të rinj në fushë. Por edhe lojtarët e tjerë me eksperiencë kanë bërë mjaft mirë. Të gjithë prisnin të humbnim nga 3-0 apo 4-0, por kemi qenë gjithmonë aty në të tri ndeshjet duke luftuar.

E ardhmja? Nations League, më pas eliminatoret e Kupës së Botës. Falënderoj Federatën, gjithë stafin dhe gjithë njerëzit me të cilët kemi punuar. Kemi bërë gjëra të mirë, kemi treguar rritje.

Eshtë e rëndësishme të vazhdojmë të luajmë dhe të provojmë sërish emocionet e Europianit, por edhe Botërorit, u shpreh trajneri i Shqipërisë.