Bota

Pas H&M, IKEA, Inditex, Zara, tanimë edhe Levi’s pezullon shitjet në Rusi!

Marka e njohur e veshjeve “Levi Strauss & Co” së fundmi ka pezulluar bizneset e saj në Rusi për shkak të luftës në Ukrainë. Prodhuesi i veshjeve me seli në San Francisko, i famshëm për xhinset e tij blu, tha sot se për momentin nuk janë planifikuar investime të reja në Rusi.

“Levi’s” tha se do të dhuronte mbi 300,000 dollarë për refugjatët dhe njerëzit në nevojë në Ukrainë. Sipas kompanisë në vitin 2021, rreth 4% e të ardhurave të “Levi’s” vinin nga Evropa Lindore dhe gjysma e tyre nga Rusia. Për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe sanksioneve perëndimore, shumë kompani po ndërpresin shitjet e tyre në Rusi, duke përfshirë Apple, H&M, IKEA, Inditex, Zara.

Sjellim në vëmendje se drejtori kreativ i markës Balenciaga, Demna Gvasalia përdori platformën e tij për t’i nderuar ukrainasit në një shfaqje dramatike që ngjalli një ndjenjë të thellë shqetësimi për të ardhmen. Demna ka lindur në Sukhumi, një qytet në Gjeorgji që pati luftime të ashpra gjatë luftës civile të vendit në fillim të viteve 1990. Stilisti dhe familja e tij ishin mes dhjetëra mijëra njerëzve që u larguan nga Sukhumi mes konfliktit në rajonin e Abkhazisë, i cili konsiderohet i pavarur nga Rusia, pavarësisht se njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Gjeorgjisë.

Rikujtojmë, se së fundmi gjithashtu kompania amerikane e ushqimit të shpejtë “McDonald’s” po mbyll 850 bizneset e saj në Rusi, deri në një njoftim tjëtër, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Të gjitha dyqanet në Rusi do të mbyllen përkohësisht, por pagat e rreth 62,000 punonjësve vendas do të vazhdojnë të paguhen. Dhe jo vetëm McDonald’s. Starbucks, Coca-Cola, PepsiCo dhe General Electric, markat e kudogjendura globale dhe simbolet e korporatave amerikane njoftuan se po pezullonin përkohësisht biznesin e tyre në Rusi në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.