Në orët pas kurorëzimit të Donald Trump, kërkimet në internet të amerikanëve për të lëvizur jashtë vendit u rritën, një fenomen që ishte shfaqur tashmë në vitin 2016.
Kërkimet në Google për mënyrën se si të “kalohet në Kanada” u rritën me 1.270%, ndërsa ato për Zelandën e Re shënuan pothuajse +2.000%.
Në rrjetin social “Reddit” është krijuar një grup i quajtur “r/AmerExit” në të cilin ndahen qindra këshilla dhe sugjerime për destinacionin ideal për t’u zhvendosur, për mënyrën e marrjes së vizave dhe vendeve të punës.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, pas zgjedhjes së Trump, disa përdorues thanë se kishin frikë për vendin e tyre, sigurinë e tyre ose për të dyja.
Kujtojmë se Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Ai i fitoi më shumë se 270 votat e domosdoshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur fitues i zgjedhjeve.
Në procesin zgjedhor të 5 nëntorit, ai garoi kundër nënpresidentes, demokrates Kamala Harris.
Harris e pranoi disfatën, duke thënë se “ne duhet ta pranojmë patjetër rezultatin e këtyre zgjedhjeve”
Përveç pozitës së presidentit, republikanët e kanë fituar edhe kontrollin e Senatit, njërës prej dhomave të Kongresit.
Trump ka qenë president i SHBA-së në vitet 2017 deri më 2021. Mbështetësit e tij e konsiderojnë presidentin republikan si një shpëtimtar dhe hero, i vullnetshëm të mbrojë vlerat e tyre kundër liberalëve në SHBA. Kritikët, në të kundërt, theksojnë, se ai është një kriminel i dënuar dhe ka ndjekur një fushatë elektorale çoroditëse duke përdorur shprehje shokuese lidhur me politikat e tij radikale, me një sjellje jo si burrështeti dhe duke përdorur me impulsivitet rrjetet sociale brenda dhe jashtë zyrës së tij.
Trump gjithashtu është përballur me një numër të madh sfidash ligjore në periudhën kur humbi zgjedhjet më 2020 deri përpara zgjedhjeve presidenciale 2024, duke përfshirë një sërë procesesh që kanë të bëjnë me bizneset e tij, të djemve dhe të familjes së tij.
Trump u akuzua dhe dënua në 34 raste për falsifikim të të dhënave të biznesit dhe pagesave për heshtje ndaj artistes Stormy Daniels. Edhe pas gjyqit, ku kolegji e dënoi atë, ai theksoi pafajësinë e tij. Eshtë e paqartë, nëse Trump si president do të dënohet apo mund të dërgohet ndonjëherë në burg.
Trump u akuzua gjithashtu për mbajtjen e dokumentave të klasifikuara qeveritare në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago në Florida edhe pas periudhës kur nuk ishte më president. Gjithashtu, Trump duhet të paguajë miliona dollarë dëmshpërblim ndaj gazetares E. Jean Carroll, pasi një trup gjykues e gjeti fajtor atë për abuzim seksual në fund të viteve 1990, dhe më pas për diskreditim të saj me deklarimet dashakeqe, se ajo gënjen për incidentin.