Sociale

Pas disa muajsh në Shqipëri, transportohen drejt SHBA-së afganët e strehuar në vendin tonë

212 qytetarët afganë që qëndruan në vendin tonë për disa muaj janë përcjellë drejt SHBA-së me një ceremoni në Rinas nga ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.

Në total 2400 afganë i ikën luftës dhe për muaj të tërë u mikpritën në Shqipëri.

Fjalimi i plotë i ministres Olta Xhaçka:

“Mirëmbrëma të dashur miq. U emocionova shumë kur erdha këtu për t’ju dhënë lamtumirën dhe takuar me disa prej jush. Më kujtohet sikur të ishte vetëm pak ditë më parë kur erdhët dhe ju pritëm për herë të parë në këtë vend. Më duhet të them, se sot kam ndjenja vërtet të përziera, nga njëra anë, jam shumë e lumtur për secilin prej jush, e di se kjo është ajo që ju keni dashur, që kjo është ajo që keni ëndërruar dhe jam shumë e lumtur që kjo ëndërr u realizua dhe në një farë mase, ajo u realizua edhe më shpejt nga sa guxuam të shpresonim.

E di që shumica prej jush kanë qenë njerëz të suksesshëm në atdhe, në të gjitha kapacitetet e jetës, njerëz që bënë ndryshimin në Afganistan, qoftë në media, qoftë në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave e në botën akademi. E di që sot duhet të keni shumë emocione, njëfarë shqetësimi, por më lejoni t’ju them këtë, si dikush që ka qenë emigrant në Shtetet e Bashkuara, që ka studiuar atje, që ka jetuar atje, që njeh Shtetet e Bashkuara, ky është vendi më i mirë dhe vendi i mundësive, dhe nëse ia dolët në Afganistan, pavarësisht rrezikut, vështirësive, jam e sigurt se do të keni një të ardhme fantastike në Shtetet e Bashkuara dhe do të keni sukses atje për shumë kohë.

Por krahas lumturisë duhet të them se ndihem edhe e trishtuar. Ky është fundi i një operacioni për shumë prej jush dhe për shumë prej nesh, për të cilin padyshim ne dhamë gjithçka, dhamë zemrën dhe mendjen tonë, ne ju pamë dhe pritëm si të ftuar, por ju u bëtë edhe miqtë tanë. Sot miqtë tanë po ikin. Shpresoj që ju të keni gjithmonë një kujtim të mirë për këtë vend, për Shqipërinë, për njerëzit e saj dhe që në të ardhmen do të ktheheni të na vizitoni dhe ne me të vërtetë e presim atë ditë, por gjithashtu besoj shumë se ky operacion, evakuimet dhe strehimi juaj, nuk ju ndihmoi vetëm ju, besoj fort se na ka ndihmuar edhe neve. E kam pasur këtë bisedë me shumë nga njerëzit që u përfshinë dhe që e bënë të mundur këtë, që nga ambasada amerikane, apo njerëz që kanë ardhur këtu për t’ju asistuar, ndihmuar, se ky operacion na ka bërë të gjithëve njerëz më të mirë dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë përvojë, për më tepër na ka bërë miq dhe e ka bërë edhe më të fortë lidhjen tonë me miqtë e vjetër. Kam takuar disa njerëz të jashtëzakonshëm gjatë këtij operacioni, që jam krenare t’i quaj miq, nuk dua t’i rendis të gjitha, por dua të përmend Arzon se e shoh sot të përlotur nga trishtimi, por edhe nga gëzimi tek lëvizni drejt një të ardhmeje shumë më të mirë, ka qenë kaq mahnitëse në pasionin dhe përkushtimin e saj. Faleminderit shumë për gjithçka që keni bërë Arzo.

Por ky operacion na ka afruar edhe më shumë ne dhe miqtë tanë amerikanë, partnerët tanë amerikanë. Njerëz si Ambasadorja Yuri Kim, Keith dhe bashkëpunëtorët e tyre që kanë punuar pa u lodhur për të realizuar pikërisht këtë moment këtu. Ka qenë një nder për ne që të ndihmojmë partnerët tanë në kohën e tyre të nevojës dhe jam e sigurt se aleanca dhe miqësia jonë vetëm sa do të forcohet dhe ka hyrë në një fazë të re ose në një fazë të re për shkak të këtij operacioni. Kështu që nuk dua të marr shumë nga koha juaj. E di që jeni të paduruar për t’u nisur dhe se keni një udhëtim të gjatë përpara. Dua vetëm t’ju uroj më të mirat në jetën tuaj të re. Ka qenë kënaqësi dhe nder t’ju prisja, t’ju njihja dhe me të vërtetë ju uroj një udhëtim të sigurt drejt një jete dhe të ardhme shumë më të mirë për ju dhe familjet tuaja”, tha Xhaçka.