Aktualitet Politikë

Pas daljes nga Policia e Tiranës, Ilir Meta dërgohet te Blloku i Sigurisë!

Ilir Meta dërgohet te Blloku i Sigurisë në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet. Kjo pas arrestimit nga BKH-ja duke u tërhequr zvarrë nga agjentët që e nxorën nga makina e ndaluar prej tyre pranë Kthesës së Kamzës e më tej dërgimit në mjediset e Drejtorisë së Policisë Tiranë.

Avokati i tij, Genc Gjokutaj dha një deklaratë për media para godinës së policisë:

Isha në takim me Metën. Mbërriti këtu pas një rrëmbimi banditesk në rrugë, sjellje tejet jo ligjore. Ndodh me një person që ka dhënë disa herë shpjegime në SPAK. Eshtë moment politik. Dyshja Rama-Dumani dhe me mashat e Ramës, ish-bashkëpunëtorët e Metës, kanë marrë një vendim të tillë.

Qëndrimi i tij është i qartë, i vendosur të përballet me procesin, është krejt i qartë për çfarë bëhet fjalë dhe të sqarojë rrethanat që s’kanë lidhje me të. Do të bëhet njëherë verifikimi, më pas do të shkohet me raste të tjera. S’e kam lexuar ende vendimin e gjyqtarit Erion Çela, është për 3 vepra penale: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim i pasurive.

Mënyra si është arrestuar, banditeske. Rrëmbehet në rrugë ish-presidenti ndërsa mund të ishte thirrur në SPAK.

Ish-presidenti i Republikës u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK-u ka kryer hetim pasuror. Meta akuzohet për mosdeklarim pasurish, korrupsion e pastrim parash. Ky hetim besohet se është shkaku i arrestit të sotëm e ndaj tij ka të tjera çështje hetimore si ÇEZ-DIA.

Në mes të qershorit, Meta qëndroi mbi tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme. Nga deklaratat që dha, u mësua se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes. Meta tha se me çështje pronash apo financash është marrë bashkëshortja Monika Kryemadhi. Edhe ndaj saj ka hetim pasuror nga SPAK-u. Për Kryemadhin, u vendos masa “Detyrim paraqitjeje”.

Ilir Meta u arrestua pas kthimit nga Kosova, teksa po i drejtohej selisë së Partisë së Lirisë ku kishte paralajmëruar një konferencë shtypi në orën 13:40. Ndërkaq, krahas arrestimit të Ilir Metës e masës “Detyrim për paraqitje” ndaj Monika Kryemadhit, u dhanë edhe dy masa sigurie për ish-kreun e AKEP-it, Pirro Xhixho dhe Ema Çokun, respektivisht “Arrest shtëpie” e “Detyrim për paraqitje”.

Reagoi Monika Kryemadhi. Në një postim shkruan për “persekutim nga drejtësia” e thekson se ende nuk ka dijeni për masë sigurie ndaj saj e Metës, të cilit i referohet si “babai i fëmijëve të saj”.

Në të dytën deklaratë për gazetarët, pas arrestimit të Ilir Metës, Tedi Blushi nga Partia e Lirisë shpërtheu ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani dhe për mënyrën e ndalimit të kryetarit të kësaj partie.

Akt i mirëfilltë terrorist nga Altin Dumani, akt kriminal dhe i paligjshëm nga struktura kriminale. Rrëmbim në mes të ditës pa u identifikuar. Do t’i përgjigjemi Dumanit dhëmb për dhëmb.