Aktualitet Politikë

Pas arrestimit të Ilir Metës, “Detyrim paraqitjeje” Monika Kryemadhit!

Pas arrestimit të Ilir Metës, u raportua se ka një masë sigurie edhe për Monika Kryemadhin. GJKKO-ja i caktoi “Detyrim për paraqitje”, bashkëshortes me të cilën Meta është në proces divorci.

Pastrim parash, mosdeklarim të të ardhurave e korrupsion, me urdhër të SPAK-ut, arrestohet Ilir Meta. Prokuroria e Posaçme po e hetonte për çështjen ÇEZ-DIA. Lajmi u bë i ditur rreth orës 13:00 dhe priten të tjera detaje lidhur me prangosjen e kryetarit të Partisë së Lirisë, i cili ka qenë edhe në funksionet më të larta shtetërore si President i Republikës, kryetar i Kuvendit, Kryeministër, zv.kryeministër e ministër.

U ekzekutua masa e sigurisë e lëshuar nga SPAK-u për Metën, i cili është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje për çështjen ÇEZ-DIA dhe ka deklaruar se janë tërsisht “akuza të sajuara e pa asnjë bazë”. Ky ishte një zhvillim i beftë. Kryetari i Partisë së Lirisë, i cili u arrestua në hyrje të Tiranës, pranë mbikalimit të Kamzës kishte njoftuar daljen në një konferencë për shtyp, sot rreth orës 13:40. Paraprakisht, mësohet se po udhëtonte me makinë kur u ndalua nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH.

Sali Berisha i cili ishte në një dalje për mediat, tha se “persekutimi i Ilir Metës është vetëm politik”.

Çdo gjë ndaj tij është politike. Persekutimi politik i Ilir Metës është politik, politik dhe vetëm politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt, asnjë dokument, por kanë zbatuar urdhrat e Edi Ramës, i cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik, e ndoshta edhe fizik të Ilir Metës. Edi Rama është, siç denoncova edhe në herët e kaluara, i implikuar në zhdukje të personave në mënyrë ekstraligjore, antikushtetuese.

Iu kam informuar unë këtu ju, se Dumani fle mbi një dosje në të cilën bisedohet për eliminimin e një politikani të afërt me Edi Ramën. E kuptoni se a do mund të guxonin bandat shtetërore të eliminonin një politikan të afërt me Edi Ramën, pa porosinë e Edi Ramës?

Ndërkaq, Tedi Blushi nga Partia e Lirisë, foli për mediat dhe arrestimin e quajti “akt kriminal” që sipas tij do të marrë përgjigjen e merituar.