Një aksident i rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në aksin Lushnjë-Rrogozhinë, në afërsi të fshatit Konjat. Një automjet tip “Ford” që drejtohej nga shtetasi Fabjol Ibraliu doli nga rruga, duke përfunduar në afërsi të banesave, por më parë, Ibraliu u përplas me makinat e tjera që ndesheshin në anë të rrugës.
Korrespondenti i Top Channel në Lushnjë, Bledar Korreshi, raportoi mbrëmjen e djeshme se forcat e kërkimeve mbërritën në vendngjarje për të gjetur drejtuesin, i cili nuk dihej se ku ishte dhe as herët në mëngjes nuk pati një shenjë prej tij. Madje u tha se policia dhe zjarrfikësit kanë kërkuar deri në orën 04:00 të mëngjesit, pa asnjë rezultat. Por, tani mësohet se mes shkurreve u gjet trupi i pajetë i të riut që ishte në timon.
Në një video të siguruar nga Top Channel, më herët shihej nëna e drejtuesit të mjetit të zhdukur, e cila kërkonte të birin dhe pyeste autoritetet se ku është ai. Mes të bërtiturave dhe ulërimave shprehej se djali i saj ka vdekur. Një punonjës u përpoq ta qetësonte, duke i thënë se i biri nuk është në makinë dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Nga trauma e pësuar, gruaja humbi dhe ndjenjat.
Fillimisht, nuk përjashtohej mundësia që Fabjol Ibraliu të ishte i gjallë dhe se pas aksidentit mund të ishte ndihmuar, por këto hipoteza ranë me gjetjen e trupit. Mësohet se drejtuesi i mjetit ka dërguar babin në punë dhe më pas është nisur drejt punës së tij. Në pamjet e siguruara shihet se makina ka dëme të shumta e se drejtuesi ka qenë me një shpejtësi tepër të lartë prej 160k/h.