Për herë të parë në pesë muaj, inxhinierët e NASA-s kanë marrë të dhëna të deshifrueshme nga “Voyager 1”. Sinjalet nga sonda më e vjetër e agjencisë hapësinore u morën pas aplikimit të nje zgjidhjeje kreative e cila mundësoi sërish komunikimin me të. “Voyager 1” ndodhet aktualisht rreth 24 miliardë kilometra larg. Duke qenë se ka 46 vite në kozmos, sonda ka treguar disa veçori dhe shenja të “plakjes” në vitet e fundit.
Problemi i fundit nga Voyager 1 u shfaq për herë të parë në nëntor 2023, kur njësia e modulimit të telemetrisë së sistemit të të dhënave të fluturimit filloi të dërgonte një model të përsëritur kodesh të padeshifrueshme. Sistemi i të dhënave të fluturimit të sondës mbledh informacion nga instrumentet shkencore të anijes kozmike dhe i bashkon ato me të dhëna inxhinierike që pasqyrojnë gjendjen e saj aktuale “shëndetësore.”
Ekipi në Tokë, i merr ato të dhëna në kod binar, ose një seri njësh dhe zero. Por që nga nëntori, sistemi i të dhënave të fluturimit të “Voyager 1” ishte bllokuar. Teksa sonda ka vazhduar t’i transmetojë një sinjal radio të qëndrueshëm ekipit të saj të kontrollit në Tokë gjatë muajve të fundit, sinjali nuk kishte asnjë të dhënë të përdorshme. Teksa proceson informacionin, ekipi në Tokë ka dalë në përfundimin se “Voyager 1” është i “shëndetshëm” dhe funksionon siç duhet. Linda Spilker, shkencëtare e projektit Voyager në JPL tha në një deklaratë se:
Sot ishte një ditë e mrekullueshme për Voyager 1. Ne jemi kthyer në komunikim me anijen kozmike. Mezi presim të dekodojmë të dhënat shkencore.
Rikujtojmë, se së fundmi NASA ka paralajmëruar se Kina mund të tentojë të marrë përsipër pjesë të Hënës brenda vetëm disa viteve. Administratori i agjencisë hapësinore Bill Nelson tha se ai ka frikë se programet civile të vendit të nisura në emër të shkencës mund të jenë në fakt operacione të fshehta ushtarake.
Kina ka bërë hapa të jashtëzakonshëm, veçanërisht në 10 vitet e fundit, por ato janë shumë, shumë të fshehta. Ne besojmë se shumë nga të ashtuquajturat programe të tyre hapësinore civile janë një program ushtarak. Unë mendoj se, në fakt, ne jemi në një garë.