Eva Buzo ka përfunduar udhëtimin e saj prej 34 orësh, dhe 92 km nga brigjet e Leces, ( San Focca) deri në Gadishullin e Karaburunit, ku dhe ka prekur tokën shqiptare në afërsi të kepit të Gjuzës.
Një udhëtim i vështirë për avokaten me origjinë shqiptare e cila, sfidën të cilën e la në mes vitin e kaluar për shkak të komplikacioneve, sot rrugëtimin e ka përfunduar, duke treguar një forcë fizike dhe psikologjike.
Ajo ka ndaluar shumë pak duke pirë ujë dhe udhëtimi ka qenë konstant. Nuk ka pasur asnjë problem gjatë udhëtimit prej 34 orësh. Në momentin e mbërritjes Eva nuk është në gjendje të flasë për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa, por gjendja e saj shëndetësore është shumë e mirë.
Vitin e kaluar Buzo u ndal pas 28 orësh not dhe 75 kilometrash, vetëm 16 kilometra larg nga mbërritja në Vlorë. Gjatë përpjekjes së saj të parë, Buzo u përball me probleme fizike dhe komplikime shëndetësore që e detyruan të ndërpresë garën. Pjesërisht për shkak të pickimeve nga kandilat dhe lodhjes ekstreme, ajo shfaqi probleme në të folur dhe u detyrua të kërkonte ndihmë mjekësore. Pas transportimit në breg nga mjetet ujore që e shoqëronin, Buzo u shtrua në spitalin e Vlorës, ku u konstatua se ndodhej në një gjendje të qëndrueshme, por me nevojë për rikuperim të mëtejshëm.