Formula 1 zhvilloi këtë të shtunë provat zyrtare për Çmimin e Madh të Hungarisë. Në pistën e Hungarianring, piloti i Mercedes, Lewis Hamilton siguroi vendin e parë dhe pole-postionin për garën e nesërme që fillon në 15:00.
Piloti britanik la pas kampionin Max Verstappen dhe për kohën 0.003 do niset i pari në garë. Pas 33 garash, Hamilton ia del që të sigurojë sërish një vend të parë në prova, teksa për të ky është pole-positioni i nëntë në karrierë në Hungari, duke vendosur edhe rekord.
Diferencat ishin minimale edhe në vijën e dytë, me skuderinë McLaren që u pozicionua në vendin e tretë dhe të katërt, me Lando Norris dhe Oscar Piastri.
Ferrari ishte përsëri shumë larg rivalëve, ndërsa surpriza e kësaj fundjave mban emrin e Zhou, me pilotin kinez, i cili u rendit në vendin e pestë, duke lënë pas pilotin e Ferrari-t, Charles Leclerc, ndërsa Sainz nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe të dielën do të niset nga pozicioni i 11-të.
Kujtojmë se Red Bull me Verstappen dhe Sergio Perez janë të shkëputur në krye të këtij sezoni, teksa piloti holandez dhe kampioni i botës në fuqi dominon me pikë dhe është drejt titullit të tretë kampion për pilotë.