Grupi i famshëm, Rolling Stones thuhet se do të publikojnë albumin e tyre të parë muzikor pas 18 vitesh verën e ardhshme. Lajmi vjen pas vdekjes së bateristit të grupit, Charlie Watts në vitin 2021. Grupi legjendar i rockut e kaloi këtë verë duke performuar në vende të shumta anembanë Evropës për nder të 60-vjetorit të tyre si grup. Një burim i afërt me grupin tha për ‘The Sun’ se:
Mick Jagger, Keith Richards dhe Ronnie Wood u bashkuan në New York gjatë dy javëve të fundit për sesione regjistrimi, së bashku me një grup muzikantësh të klasit botëror për të përfunduar regjistrimet fillestare për prodhimin e tyre të parë muzikor në 18 vjet. Pas vdekjes së Charlie kishte njëfarë paqartësie se çfarë të bënin më pas. Ata kishin planifikuar datat e koncerteve, por më pas nuk ishte e qartë se si dukej e ardhmja. Por tani ata kanë pasur kohë të reflektojnë. Ata të gjithë mendojnë se është gjëja e duhur të vazhdojnë të bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë si grup, të bëjnë muzikë të re dhe shpresojmë që të hyjnë sërish në rrugë për të performuar për fansat e tyre.
Në fillim të kësaj vere, vokalisti kryesor Mick Jagger njoftoi se doli pozitiv me COVID-19, duke e detyruar grupin të anulonte koncerte të shumta që kishin planifikuar të mbanin. Grupi gjithashtu thuhet se po planifikon një turne në SHBA, Amerikën e Jugut dhe Evropën pas publikimit të albumit.
Rikujtojmë se Rolling Stones kanë përfunduar në pulla postare. Royal Mail ka emetuar një set prej 12 ekzemplarësh, në nderim të grupit muzikor legjendar që festuan 60-vjetorin e krijimit. Në pulla, imazhet ikonike të Rrolling Stones gjatë performancave live në mbarë botën. Përpara grupit anglez, ky nderim i është rezervuar tre formacioneve muzikore: Beatles në vitin 2007, Pink Floyd më 2016-ën dhe Queen në vitin 2020.