Pas më shumë se 1 viti, Alfred Peza dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Dorëheqjen e parevokueshme e dorëzoi në Këshillin Drejtues të RTSH-së. Kur u zgjodh më 13 qershor të vitit të kaluar, Peza i cili ka qenë gazetar dhe deputet i Partisë Socialiste, mori votat e 9 anëtarëve të këtij këshilli. Më pas, ai u vu në qendër të akuzave të opozitës për shkarkime masive e të padrejta të punonjësve.
Në Komisionin e Medias i quajti fake news-e pretendimet e në përgjigje, tha se u hoqën ata që sipas tij, “nuk punonin”. Në dëgjesën e 24 qershorit të këtij viti me deputetët, demokratët u përplasën me të dhe për pasojat financiare të shkarkimeve.
Ina Zhupa: Gjatë 1 viti, nga këto pushime të padrejta nga puna, RTSH-ja i ka dhënë një kosto Buxhetit të Shtetit. Janë të paktën 46 procese gjyqësore të pranuara nga gjykata.
Alfred Peza: Asnjë proces nuk ka përfunduar e nuk ka vendime të formës së prerë. Për 34 vite, Buxhetit të Shtetit dhe RTSH-së, ata punonjës që nuk vinin fare në punë, i kanë kushtuar shumë herë më tepër.
Leka Bungo nga Këshilli i RTSH-së: I kam thënë, mos pusho njerëz nga puna! Kushtojnë se do të fitojnë gjyqe. T’i them unë dy emra që kanë fituar.
Opozita reagoi për dorëheqjen. Në një postim në rrjetin social Facebook, deputetja demokrate, Ina Zhupa e quan “fitore të një beteje për ligjshmëri në drejtimin e RTSH-së, në shërbim të interesit publik”.
Duke vënë në dukje se Radio Televizioni Shqiptar është aset publik që mbahet me taksat e shqiptarëve, më tej, Zhupa i bën thirrje Këshillit Drejtues, “të ngrihet në lartësinë e detyrës në zgjedhjen e drejtuesit të ri”.
Postimi i deputetes së PD-së:
Meqenëse herën e parë e tërhoqi, të dytën po ja nxjerrim me foto! Dorëhiqet Drejtori i paligjshëm i RTSH! Nuk dua të përsëris vetveten, por çlirimi i RTSH është një fitore e vogël e një beteje për ligjshmëri.
RTSH është aset publik që mbahet me taksat e shqiptarëve dhe duhet drejtohet në bazë të ligjit dhe në shërbim të interesit publik. Fatkeqësia ishte që ligji por edhe normat morale ishin zhdukur nga Peza. Këshilli Drejtues të ngrihet në lartësinë e detyrës në zgjedhjen e re, shkruan Zhupa.