Partizani nuk ka dalë i kënaqur nga transferta e Shkodrës, por sezoni vazhdon dhe gjithçka duhet të hidhet pas për të bërë gati veten për pengesat e tjera. Ndeshja e radhës nuk është aspak e lehtë, pasi përballë ka Egnatian dhe është mundësia e vetme për të ndalur vrullin e rrogozhinasve dhe për të mbajtur në diskutim vendin e parë.Dita e djeshme është lënë pushim nga trajneri Shehi, teksa mesditën e sotme nis misioni për betejën e së shtunës në orën 16:00 në stadiumin “Arena e Demave”. Përveç aspektit psikologjik dhe fizik, trajneri Orges Shehi do të duhet të gjejë edhe zgjidhje teknike për formacionin që do të hedhë ndaj kryesuesve.
Valentino Murataj u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 10-të të ndeshjes, duke plotësuar kështu numrin e katër ndëshkimeve të tilla, çka përkthehet me mungesën e tij në ndeshjen ndaj Egnatias. Mosprania e kapitenit bëhet akoma më ndikuese për faktin se Mehmeti, alternativa tjetër e mesfushës, është i dëmtuar dhe shanset që të rikuperohet janë shumë të vogla. Në këtë situatë Shehi mund të aktivizojë Kekon në krah dhe të kthejë Taipin në mesfushë ose të luajë me një prej mesfushorëve të stolit, ku favorit duket Ismaili. Pjesa tjetër e skuadrës janë të gatshëm për lojë.