Lajmet e fundit Sport

Partizani fiton derbin dhe i shkakton humbjen e parë Dajës pas kthimit te Dinamo, Teuta – Skënderbeu 1-1

Partizani fitoi 1-2 derbin ndaj Dinamos në “Elbasan Arena”, duke i shkaktuar humbjen e parë Ilir Dajës. Derbi  i vlefshëm për javën e 13-të të Superiores dhuroi spektakël.

DINAMO-PARTIZANI 1-2 (54′ Zabërgja / 48′ Cara, 62′ Rrapaj)

Të kuqtë kanë marrë tre pikë shumë të rëndësishme, për të mbyllur të shkëputur nga ndjekësit ndeshjet para pauzës për kombëtaret.

Dy skuadrat kanë zhvilluar një futboll të shpejtë, por me shumë pasime gabim në fazën sulmuese.

Golat erdhën në pjesën e dytë të takimit ku Cara dhe më pas Rrapaj shënuan gola identikë me depërtime në qendër të mbrojtjes së bluve, duke bërë të pavlefshëm barazimin e përkohshëm të Zabërgjës.

Dinamo u mundua të gjente barazimin deri në fund, por ishte e pasaktë në rastet që krijoi, duke regjistruar kështu humbjen e parë që kur drejtimin e skuadrës e mori Ilir Daja.

Lexo edhe: Tekniku i Egnatias analizon ndeshjen: Dominuam në pjesën e parë, mëkat që nuk fituam

TEUTA – SKËNDERBEU 1-1  (66′ Preknicaj/40′ Bismark)

Në Durrës pati 2 gola dhe VAR, edhe pse spektakolare, Teuta – Skënderbeu u mbyll pa fitues.  Korçarët e mbyllën pjesën e parë në avantazh falë golit të Bismark (40′), por vendasit barazuan me Preknicaj (66′). Teuta ishte pranë golit të dytë në disa raste, ndërsa miqtë shënuan me Kotobellin në shtesë, por nga pozicion i parregullt sipas VAR-it.

Partizani në krye të renditjes me 24 pikë, 2 më tepër se Vllaznia, që barazoi po sot 1-1 me Egnatian.  Rrogozhinasit e mbyllin javën në vendin e tretë me 20 pikë, aq sa ka edhe Dinamo. Teuta ngjitet në kuotën e 17 pikëve, Skënderbeu në kuotën 12.

Lexo edhe: Bitri po shkëlqen në Hungari, Mehmeti shënon golin spektakolar të radhës në Angli

Nesër do të luhen dy ndeshjet e fundit të javës së 13-të. Në orën 14:00, Laçi pret Elbasanin në shtëpi, në një duel mjaft interesant ndërsa takimi përmbyllës i javës do të jetë Tirana – Bylisit, ndeshje që luhet në orën 17:00.