Bota

Partitë pro perëndimore kryesojnë zgjedhjet në Bullgari!

Partitë pro perëndimore janë në krye ndërsa priten me interes rezultatet e para të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Bullgari, referuar parashikimeve të bazuara në sondazhe, pas zgjedhjeve të shtata në vend, në tre vjet e gjysmë.

Midis 25,5% dhe 26,4% e votuesve hodhën votat e tyre për aleancën e qendrës së djathtë GERB-SDS, siç konfirmuan dy institute të sondazheve, “Gallup International Balkan” dhe “Alpha Research”, pas mbylljes së qendrave të votimit.

Forca e dytë politike më e fortë është aleanca liberalo-konservatore PP-DB, që tani parashikohet të marrë 13,8%-14,4% nga 14,9%-15,4% të votave.

Të dyja aleancat duan të ruajnë orientimin euroatlantik të Bullgarisë e të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në konfliktin e armatosur me Rusinë e që vijon prej shkurtit 2022. Sipas të dhënave më të fundit, partia pro ruse, nacionaliste dhe populiste “Vazrazdane” (Rilindja) doli e treta me 13,0%-13,4% nga 12,9%-13,8%.

“Vazrazdane”, e përfaqësuar në Parlamentin Europian që nga zgjedhjet europiane të qershorit, dëshiron të rinegociojë traktatin e pranimit të vendit në Bashkimin Europian, të tërheqë anëtarësimin e Bullgarisë në NATO e të shtyjë një referendum për futjen e euros. Ky votim u shty kohët e fundit për shkak të normave të inflacionit. Sipas parashikimeve e përllogaritjeve, të paktën shtatë dhe maksimumi nëntë parti, mund të hyjnë në parlament.

Politologët presin që formimi i qeverisë të jetë i vështirë. Zgjedhjet u bënë të nevojshme sepse asnjë parti nuk mundi të formonte një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 qershorit që po ashtu ishin të parakohshme. Derisa të formohet një qeveri e rregullt, kabineti aktual i përkohshëm do të vazhdojë të qeverisë në Bullgari.

Edhe një ditë më parë, sondazhet treguan se aleanca pro-perëndimore e qendrës së djathtë GERB-SDS kishte të ngjarë të dilte nga zgjedhjet e djeshme si forca më e fortë. Megjithatë, nuk pritej që të siguronte një shumicë absolute. Parlamenti bullgar do të mbetet i fragmentuar. Janë shfaqur parti të reja që morën pjesë në zgjedhje. Ndërtimi i koalicionit qeverisës mbetet i vështirë pas këtyre votimeve ashtu si edhe pas atyre të mëparshme.