Bota Gossip

Partia ultra-konservatore zvicerane dorëzoi nënshkrime kundër mbajtjes së Eurovizionit!

Partia ultra-konservatore zvicerane, Bashkimi Federal Demokratik (EDU) ka dorëzuar nënshkrimet për mbajtjen e një referendumi në të cilin dëshiron të parandalojë organizimin e Eurovizionit në Bazel vitin e ardhshëm. Kjo parti dëshiron që më 24 nëntor të mbahet votimi për një kredi prej 37.5 milionë frangash zvicerane të miratuar së fundmi nga parlamenti i kantonit të Bazelit për organizimin e Eurovizionit në maj të vitit të ardhshë.

Bashkimi Federal Demokratik dorëzoi 4203 nënshkrime për të organizuar një referendum, për të cilin nevojiteshin të paktën 2000 nënshkrime. Këto nënshkrime tani duhet të vërtetohen nga Zyra Shtetërore e Kantonit të Bazelit. Më 11 shtator, parlamenti kantonal miratoi kredinë për Eurovision Song Contest 2025 të propozuar nga qeveria. Për kredinë votuan 87 deputetë, katër ishin kundër dhe katër abstenuan. Partia EDU, e cila ka pak përfaqësues në Bazel dhe iu desh të mbështetej në mbështetjen jashtë kantonit për të mbledhur nënshkrime, është i vetmi grup politik që sfidon kredinë.

Bazeli në Zvicër do të jetë qyteti pritës i Eurovision Song Contest. Pas fitores së këngëtarit zviceran Nemo në Malmö në konkursin e këtij viti në Suedi me këngën e tyre ‘The Code’, vendi mori përsipër detyrat e pritësit për vitin 2025. Është hera e tretë që Zvicra fiton konkursin, pas Lys Assia në 1956 dhe Céline Dion në 1988. Transmetuesi pritës SRG SSR dhe EBU do të presin konkursin e 69-të të këngës në Eurovision në maj 2025. Sipas gazetës norvegjeze VG, gjashtë vende që u kualifikuan në finalen e madhe të Eurovizionit donin të tërhiqeshin nga gara deri në 25 minuta para fillimit të festivalit, në mesin e tyre edhe Zvicra që fitoi Eurovisionin. Vendet e tjera që po ashtu kërcënuan ta lënë garën ishin Irlanda, Portugalia, Norvegjia, Greqia si dhe Mbretëria e Bashkuar. Greqia mohoi se kishte kërcënuar të tërhiqej.