Aktualitet Politikë

Partia e Lirisë mbledh Komisionin e Diasporës, Meta mesazh nga qelia: Të shumëfishohet aksioni opozitar!

Partia e Lirisë ka mbledhur sot online Komisionin e Diasporës. Në fjalën e tij, Sekretari i përgjithshëm, Tedi Blushi, ka përcjell mesazhin e Presidentit të PL Ilir Meta për këtë takim.

Siç u shpreh Blushi, Meta ka kërkuar një shumëfishim të aksionit në diasporë si dhe nxitjen e strukturave atje që të jenë më aktive.

Blushi u shpreh se vendi ndodhet në një situatë të pazakontë, dhe për këtë duhet të vihen në dijeni edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

“Ilir Meta si sot dy javë kur rrëmbye në mënyrë terroriste nga narkoregjimi. Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe ju përcjell mesazhin për nevojën e shumëfishimit të aksionit në diasporë, jo vetëm për t’i njohur me situatën e vështirë mu ndodhet vendi, por edhe për të nxitur strukturat të jenë më aktive në këtë situatë të paprecedentë për partinë dhe vendin”, tha Blushi.

Kujtojmë se, Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Meta ka shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022.

Përveç postit të presidentit, Meta kishte qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi dhe ministër i Jashtëm.

Policia e Shtetit ka thënë se e ka zbatuar rregulloren kur e ka arrestuar ish-presidentin Meta.

Sipas këtij institucioni, kërkesa për arrestim është bërë nga SPAK-u.

“Është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit Ilir Meta vendimin e Gjykatës për masën e sigurisë ‘arrest në burg’ dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti. Shtetasi Ilir Meta ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë. Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht”, është thënë në reagimin e Policisë.