Gushti nuk është vetëm periudhë pushimi, por edhe reflektimi për politikën.
Mbyllja e dyerve të Kuvendit shënon edhe një moment bilanci të aksioneve politike se kush fitoi, e kush humbi më shumë.
Në sesionin e fundit parlamentar patëm dy kompromise politike. I pari ishte për fikjen e flakadanëve dhe rikthimin e normalitetit në Kuvend, ku mazhoranca në këmbim të një opozitë më paqësore, pranoi ngritjen e 2 komisioneve hetimore.
“Pyetja është çfarë ndryshoi në politikë që palët nga një konflikt i madh shkuan tek një marrëveshje? Ishin disa lëshime krejt të vogla dhe të parëndësishme, të cilat nuk ndryshuan asgjë, në raportet e Parlamentit me llogaridhënien. Dy komisionet që u lejuan nuk kanë prodhuar asgjë”, tha Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike.
Komisionet hetimore do të luajnë aktin e dytë në shtator, tashmë edhe me betejën për një ligj të ri për hetimet parlamentare pas rrëzimit nga Kushtetuesja.
Kompromisi i dytë është edhe më i freskët, pasi ishte për amendimin e Kodit Elektoral. Nëse për Komisionet Hetimore fituesi e humbësi ishte i dukëm, ndryshimet në ligjin elektoral kënaqen orekset e të mëdhenjve të politikës.
“Në zgjedhjet e kaluara lokale, një numër masiv qytetarësh bojkotuan procesin të pakënaqur me politikën dhe kush ishte reagimi politik i partive dhe Parlamentit ndaj qytetarëve të pakënaqur? E mbyllën sistemin, krijuan privilegje për vete dhe krijuan distance me te madhe me qytetarët”, nëvizoi në një intervistë për Top Channel, Afrim Krasniqi.
Salla e Kuvendit do të qëndrojë e qetë edhe për pak ditë. Deputetët do të rikthehen në tavolinat e punës në vjeshtë ku mbi tryezë i presin detyra të mbartura. Në sirtarët e Kuvendit vijon të qëndrojë në pritje prej me shumë se 2 vitesh pozicioni i Avokatit te Popullit për shkak të mungesës së konsensusit.
Në harresë mbeten edhe nismat ligjore për pastrimin e politikës nga ish bashkëpunëtoret e sigurimit të shtetit dhe ndalimin me ligj te simboleve te komunizmit. Për vjeshtëka mbetur edhe zgjedhja në institucionet e drejtësisë e anëtareve me mandat të përfunduar.
“Më kujton studentët e vjeshtës, kur të vjen për herë të tretë, o do ta kalosh o do ta ngelesh për vitin e ardhshëm përsëri studentin dhe pedagoget mbyllin sytë dhe e kalojnë për herë të tretë”, nëvizoi drejtuesi i Institutit për Studime Politike.
Me gjithë çështjet e mbartura debatin në sesionin e vjeshtës pritet të çelë çështja më e nxehtë e politikës së gushtit, ajo e mandatit të Olta Xhaçkës.