Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut nisi debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Përplasja lidhet me çështje të karakterit historik që po pengojnë integrimin europian të Maqedonisë së Veriut e të Shqipërisë gjithashtu, pasi dy vendet fqinje nuk trajtohen si të ndara nga Unioni.
Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët. Qeveria e ka mbështetur propozimin, por jo opozita, që prej rreth dy javësh vijon të organizojë protesta. Të tilla ka edhe sot para selisë së Parlamentit. Protestuesit mbajnë flamuj maqedonas e pankarta.
Më herët gjatë ditës, deputetëve të Maqedonisë së Veriut iu drejtua me një fjalim presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Eshtë koha për marrjen e vendimeve të mençura, për ta çuar vendin drejt integrimit europian. Siguroj deputetët se me propozimin e modifikuar francez, nuk rrezikohet gjuha maqedonase.
Kjo deklaratë u prit me duartrokitje nga deputetët e shumicës parlamentare dhe me fishkëllima nga të opozitës.
Kam dëgjuar me vëmendje për shqetësimin tuaj për gjuhën dhe identitetin. Nuk ka dyshime, gjuha maqedonase është gjuha juaj. E përsëris, nuk ka dyshime, gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne e respektojmë plotësisht. Protokolli respekton edhe identitetin tuaj kombëtar. Parimi i vetidentifikimit është me rëndësi të veçantë për të gjithë ne.
“Si kryetare e KE-së, dua t’ju siguroj se procesi i anëtarësimit do t’i respektojë rreptësishtë parimet europiane dhe standardet”, – deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila në Shkup u takua me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Zyrtarë të lartë europianë dhe amerikanë kanë bërë thirrje për miratimin e propozimit, si mundësi e vetme për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, si dhe forcimin e paqes e të stabilitetit në këtë vend e më gjerë.
Deputetët duhet të miratojnë një konkluzion prej pesë pikash që është hartuar nga Lidhja Social Demokrate në pushtet.
Duke u nisur nga interesat kombëtare strategjike për anëtarësimin në BE, Kuvendi detyron Qeverinë t’i vazhdojë negociatat me BE-në, me qëllim zhbllokimin e procesit integrues dhe të miratohet korniza e bisedimeve që përmban parimet europiane. Qeveria duhet t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve, gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë.
Miratimi i propozimit në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.
Pika e propozimit që ka nxitur më shumë debat është ajo e gjuhës maqedonase, e cila kontestohet nga Sofja, me pretendimin se para vitit 1945 ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike. Identiteti i tyre pretendohet nga të dyja shtetet.
Opozita maqedonase, e udhëhequr nga partitë VMRO-DPMNE dhe E Majta, mbetet në qëndrimin se “propozimi rrënon identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike”. Sipas tyre, “propozimi nuk do të kalojë në momentin kur të nevojitet miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka”.
Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet dhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë, e mbështesin propozimin, si “zgjidhja e vetme dhe më e mirë e mundshme për zhbllokimin e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut”.