Në një seancë të gjatë, Parlamenti i Malit të Zi vendos sot për fatin e zv.kryeministrit shqiptar, Dritan Abazoviç. Nga kryeministri Zdravko Krivokapiç ka një nismë për ta shkarkuar numrin dy të qeverisë së vendit fqinj dhe në vend të tij, të emërohet ministri i Financave dhe Mirëqenies Sociale, Millojko Spajiç.
Në Parlamentin me 81 deputetë, suksesi i iniciativës së shefit të qeverisë, varet nga sigurimi i të paktën 41 votave. Për momentin, vetëm Fronti Demokratik pro-Serb (DF) ka konfirmuar mbështetje të qartë për shkarkimin e Abazoviçit.
Nisma u ndërmor pasi Lëvizja Qytetare URA, me kryetar Abazoviçin, paraqiti mocion mosbesimi kundër Qeverisë dhe për të, Parlamenti duhet të vendosë nesër. Mocioni që iu bashkuan disa deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe subjekteve të tjera, pason mosmarrëveshjet e muajve të fundit me politikën e qeverisë.
Dritan Abazoviç ka propozuar konceptin e një qeverie të pakicës ku nuk do të ketë vend për DPS-në e presidentit aktual Milo Gjukanoviç e as për DF-në pro-serbe. Por, ka shtuar se do të donte që këto opsione politike të mbështesin qeverinë e pakicës. Por, për kryeministrin Krivokapiç, “koncepti është mashtrim”.
Kërkesat e vazhdueshme për shkarkimin e kreut të ekzekutivit në Mal të Zi janë epilogu i krizës disamujore, si ndërmjet Parlamentit e Qeverisë, ashtu edhe brenda vetë Qeverisë. Kabineti i kryeministrit Zdravko Krivokapiç njihet për afërsinë me Kishën Ortodokse Serbe që nga ana e saj ndikoi drejtpërdrejtë në zgjedhjen e kryeministrave dhe ministrave. Qeveria u zgjodh në fillim të dhjetorit 2020 nga DF (Fronti Demokratik), Demokratët dhe Lëvizja URA.
Paralelisht me përpjekjen për zgjidhjen e krizës në institucionet e sistemit në Malin e Zi, ditët e fundit janë organizuar protesta në disa qytete malazeze, të drejtuara kundër Lëvizjes URA dhe zëvendëskryeministrit Abazoviç, por edhe të gjithëve atyre që mund të mbështesin konceptin e qeverisë së pakicës në vendin e vogël ballkanik.