Bota

Parlamenti Europian voton për fundin e motorëve me djegie të brendshme!

Në luftë për një mbrojtje më të madhe të klimës, Parlamenti Europian dëshiron të ndalojë shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme, duke filluar nga viti 2035. Me një shumicë të qartë, eurodeputetët votuan pro një propozimi të Komisionit Europian. Sipas këtij propozimi, duke nisur nga mesi i dekadës së ardhshme, prodhuesit pritet të lejohen të hedhin në treg vetëm makina dhe furgonë që nuk lëshojnë gazra që shkaktojnë efektin serrë dhe që janë të dëmshëm për klimën.

Para se një rregullore e tillë të hyjë në fuqi, Parlamentit i duhet të negociojë me shtetet e BE-së. Ende nuk dihet, nëse vendet anëtare të BE-së do të bien dakord, por kjo konsiderohet si e mundshme. Deri në fund të muajit, vendet anëtare duhet të përcaktojnë qëndrimin për ndalimin e shitjes së makinave me benzinë ​​dhe naftë e pastaj dy institucioneve të BE-së do t’u duhet të gjejnë një kompromis, që rregullorja të hyjë në fuqi.

Prej kohësh, Gjermania ka deklaruar se duke filluar nga viti 2035 do të ndalojë shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme. Këtë e bëri të qartë në mars në Bruksel edhe ministrja Federale e Mjedisit, Steffi Lemke, e cila në emër të qeverisë federale, theksoi se Gjermania mbështet ndalimin e përdorimit të motorëve me djegie të brendshme në Europë, nga viti 2035.

Edhe Mercedes, Ford e Volvo e kanë mbështetur publikisht ndalimin e shitjes së makinave me djegie të brendshme duke nisur nga viti 2035. Prodhues të tjerë si Volkswagen njoftuan se nga ky vit, nuk do të ofrojnë më në tregun europian motorë me djegie të brendshme.
Pas votimit, eurodeputeti gjerman i të Gjelbërve, Michael Bloss tha:

Ne vendosëm pro të ardhmes së Europës, sepse në të ardhmen, makinat elektrike më të mira dhe bateritë më moderne do të prodhohen në Europë.

Eurodeputeti demokristian, Jens Gieseke, e kritikoi vendimin duke deklaruar:

Për fat të keq, të Gjelbrit, Liberalët e Social-Demokratët preferojnë t’i vendosin të gjitha në kartën e elektro-mobilitetit.

Ai u shpreh se ka frikë për aftësinë konkurruese të Europës, si dhe për sigurinë e shumë vendeve të punës, por pranoi se ndalimi i motorëve me djegie të brendshme në vitin 2035 duket se nuk do të mund të pengohet më.