Aktualitet

Parlamenti Europian miraton raportin për strategjinë e re të Zgjerimit!

Komisioni i Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian miratoi raportin për strategjinë e re të zgjerimit. Përmes këtij dokumenti kërkohet që procesi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë me Bllokun, si edhe dhënia e fondeve të BE-së, të kushtëzohet me mbështetjen e Beogradit për sanksionet ndaj Moskës.

Duhet të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë së BE-së. Negociatat e anëtarësimit me Serbinë të përparojnë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë e të bëjë përparim domethënës në reformat e nevojshme për integrim në Union.

Raporti kërkon që procesi i zgjerimit të reformohet, që të shpërblehen ato vende që avancojnë në përmbushjen e kritereve, por edhe të sanksionohen shtetet që shënojnë kthim prapa në këtë proces. Ky dokument u përgatit nga eurodeputeti kroat, Tonino Picula dhe u miratua me 49 vota pro, pesë kundër e tetë abstenime.

Po ashtu, Parlamenti Europian propozon që të ndryshohet mënyra e miratimit të vendimeve, duke hequr dorë nga unanimiteti për të kaluar në votim me shumicë të kualifikuar në Këshill.

Marrja e vendimeve përmes votimit unanim shpesh ka mundësuar që në të kaluarën, shtete të caktuara anëtare të bllokojnë hapjen apo mbylljen e kapitujve negociues.

Besueshmëria e procesit të zgjerimit, por edhe e BE-së në tërësi është dëmtuar për shkak se disa shtete anëtare, nisur nga interesat kombëtare e kanë bllokuar procesin. Kjo krijoi hapësirë për ndikimin e Rusisë, Kinës e të tjerë faktorëve të dëmshëm në rajon.

PE-ja flet edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Raporti kërkon angazhim më të madh të palëve për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese mes Kosovës e Serbisë, përmes njohjes reciproke.

Nuk duhet të ketë alternativë të procesit të zgjerimit. Madje, negociatat e anëtarësimit me vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, të përmbyllen deri në fund të kësaj dekade. BE-ja duhet të punojë që ndihma e saj të jetë më e dukshme, që të rrisë ndikimin në rajon dhe më gjerë.