Bota

Paris, Macron mirëpret Zelensky-n në Pallatin Élysée!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot takohet me homologun Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, në kuadër të vizitës së tij  zyrtare në Francë. Në mëngjes, takimet e Zelensky-t nisën me ministrin francez të Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, për të vijuar me një ndalesë në mjediset e kompanisë KNDS në Versajë. Kjo kompani synon të ndërtojë një fabrikë të prodhimit të armëve në Ukrainë për të mbështetur vendin në mbrojtjen  kundër pushtimit rus që vijon prej shkurtit të vitit 2022.

Ndalesat e tjera të Zelensky-t përfshijnë Dhomën e Ulët të parlamentit, Asamblenë Kombëtare, ku presidenti ukrainas pritet t’u drejtohet ligjvënësve. Po ashtu, ai do të takohet me kryebashkiaken e Parisit, Anne Hidalgo.

Zelensky mbërriti dje në Francë dhe mori pjesë në përkujtimin e D-Day, zbarkimet e Aleatëve në Normandi 80 vjet më parë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shefi i Elizesë, Macron njoftoi se gjatë vizitës së homologut Zelensky, ai synonte të diskutonte çështjen e një dislokimi të mundshëm të trajnuesve ushtarakë francezë në Ukrainë.

Mundësia e dërgimit të trajnuesve ushtarakë perëndimorë në zonën e luftës për të ofruar mbështetje më efektive për ushtrinë ukrainase, e cila është vënë nën presion, është diskutuar vazhdimisht kohët e fundit. Zyrtarisht, deri më sot nuk ka programe të tilla trajnimi.

Mbetet për t’u parë nëse Franca do të ndërmarrë në të vërtetë një hap të tillë vetëm apo me partnerë. Në muajin shkurt, shefi i Elizesë Macron paraqiti mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë, të cilën ai nuk donte ta përjashtonte, duke ndezur një debat mes aleatëve perëndimorë të NATO-s.