Sport

Paris 2024/Boksierja algjeriane Imane Khelif kalon në finalen e Lojërave Olimpike!

Boksierja e shumëpërfolur algjeriane, Imane Khelif do të luftojë të premten për medaljen e artë në boksin e femrave, në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Khelif, e cila është në qendër të debateve të publikut sportiv për shkak të akuzave të Federatës Ndërkombëtare të Boksit se nuk është femër, fitoi gjysmëfinalen e turneut olimpik në kategorinë deri në 66 kilogramë.

Algjeriania mposhti me vendim unanim të gjyqtarëve rivalen tajlandeze Janjaem Suwannapheng. Pas tre raundeve të boksit, gjyqtarët i dhanë fitoren Khelifit. Katër gjyqtarë shënuan ndeshjen me rezultat 30-27, dhe një tjetër me rezultat 30-26 për Khelif. Khelif do të luftojë për medaljen olimpike të premten mbrëma, ndërsa kundërshtarja e saj do të jetë Liu Yang nga Kina.

Situata e boksieres algjeriane, Imane Khelif, është bërë tema më e përfolur në Lojërat Olimpike Paris 2024, pasi ka dyshime mbi gjininë e saj, por duket se tashmë gjithçka është sqaruar. Edhe para se të fillonte turneu i boksit në Lojërat Olimpike, një pjesë e publikut u zemërua sepse dy gra me testosterone të larta u lejuan të marrin pjesë. Ato janë 28-vjeçarja Lin Yu-Ting nga Tajvani dhe 25-vjeçarja Imane Khelif nga Algjeria.

Ato nuk janë transgjinorë, ato identifikohen si gra. Por, ato gjithashtu kanë nivele të larta të testosteronit. Komiteti Olimpik Algjerian është i zemëruar për ndjekjen e boksieres së tyre dhe të zemëruar janë edhe bashkatdhetarët e saj. Një nga ata që përpiqet të dëshmojë se gjithçka është e rregullt është gazetari algjerian Youcef Zaghba, i cili postoi tre foto në rrjetet sociale që sipas tij e shfaqin Khelifin si një vajzë të vogël. Ai e quajti atë një heroinë algjeriane dhe kërkoi që të shpërndaheshin kudo.