Aktualitet

Parashikimi i motit për javën e dytë të korrikut!

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se këtë javë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike si rezultat i depërtimit të masave ajrore të nxehta me origjinë jugore, si dhe depërtimit të aktivitetit të Anticiklonit Afrikan. Në këtë mënyrë, moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin e me vranësira të pakta deri mesatare kalimtare në relievet malore në orët e mesditës.

Përjashtim bën dita e martë kur fillimisht moti nis i kthjellët e do të vijojë me vranësira në shtim nga orët e mesditës e pasdite, kryesisht në jug të territorit. Vranësirat priten të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët (pika) e lokal në qendër ndërsa në juglindje, sidomos në relievet malore priten reshje shiu me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurtra, shoqëruar hera-herës me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.

Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i perëndimi dhe me shpejtësi mesatare 2-8 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore, në momentin e zhvillimit të vranësirave, era fiton shpejtësi deri në 10-13 m/sek, valëzimi në dete 1-3 ballë.