Bota

Parandalimi i luftës në Ukrainë, Stoltenberg: NATO mundi të bëjë shumë!

NATO ka mundur të bëjë më shumë për të armatosur Ukrainën e për të tentuar që të parandalojë pushtimin e Ukrainës”, të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022. Kështu deklaroi në një intervistë të publikuar sot, shefi në largim i Aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg. Për gazetën e përjavshme gjermane, FAS u shpreh:

Tani ne ofrojmë pajisje ushtarake për luftën. Më parë, ne kemi mundur të ofronim pajisje ushtarake për të parandaluar luftën.

Numri një i Aleancës, Stoltenberg vuri në dukje se “hezitimi i aleancës për të ofruar armët që Kievi kërkonte para nisjes së pushtimit ishte për shkak të frikës se tensionet me Rusinë do të përshkallëzoheshin”. Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë do të largohet nga drejtimi i NATO-s në tetor të këtij viti. Në vend të tij është zgjedhur holandezi Mark Rutte.

Rutte do ta marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati drejtuesit aktual, Jens Stoltenberg. Stoltenberg, i cili ka 10 vjet në krye të NATO-s, tha se po e lë aleancën në “duar të sigurta” dhe e quajti Rutten një lider të “fuqishëm transatlantik”.

E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme!

Po ashtu, Rutte njihet për lidhjet me Kosovën ndër vite ndërsa vizitën më të fundit atje e zhvilloi korrikun e kaluar. Kjo në kohën kur tensionet me Serbinë, vendi i kishte në kulm për shkak se në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pushtetin e morën kryetarët e zgjedhur shqiptarë.

Holanda e tij ishte në mesin e shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës brenda muajit të parë pas shpalljes së saj, në vitin 2008. Në atë kohë, kryeministër ishte Jan Peter Balkenende. Rutte e mori detyrën e kryeministrit mbi dy vjet më vonë, në tetor të 2010-ës.

Në dhjetor të vitit 2013, ai priti në zyrë presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilës i shprehu mbështetjen e Holandës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së. Kjo marrëveshje, e para kontraktuale mes dy palëve, u firmos në vitin 2015.

Më herët, Joe Biden shpërfilli kërcënimin e Putinit për luftë me Perëndimin nëse aleatët e Ukrainës lejojnë Kievin të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi në thellësi të Rusisë.  Eshtë një kërkesë që Ukraina po e drejton me këmbëngulje, por teksa çështja pritej të ishte dje një nga temat kryesore të takimit të Biden-it me kryeministrin britanik, Starmer në Uashington, nuk pati njoftim për ndonjë vendim.

Starmer tha se bisedimet do të vazhdojnë kur liderët globalë të mblidhen për takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, këtë muaj. Ndërkaq, Biden shprehu bindjen se “Putin nuk do ta fitojë luftën”. I pyetur se çfarë mendon për kërcënimet e presidentit rus, shefi i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj se nuk mendon shumë për Vladimir Putinin.