Lifestyle

Para se të vijë fundjava mbani “vath në vesh” çfarë duhet të bëni, këshillat e disa sipërmarrësve të suksesshëm!

Dita e fundit e javës, pra e premtja është ajo ditë ku të gjithë e humbasin pak përqëndrimin në punë sepse mezi presin fundjavën për t’u relaksuar e për të kryer aktivitetet e tyre të planifikuara. Ndërkaq, disa sipërmarrës të suksesshëm kanë rrëfyer eksperiencat e tyre dhe pse jo për t’ju dhënë edhe juve disa këshilla në mënyrë që të kaloni një javë produktive dhe të qetë.

Barbara Corcoran, themeluese e “The Corcoran Group” rrëfeu se:

Mënyra më e mirë për të qenë të sigurtë se gjërat po ecin në vijë të drejtë para se të vijë fundjava, është identifikimi i punëve parësore. Unë krijoj një listë të gjërave në varësi të rëndësisë dhe shoh me qartësi shoh se çfarë është e rëndësishme dhe se çfarë do të më sjellë para. Për shembull finalizoj një marrëveshje edhe pse do të kisha më shumë qejf të mbjell lule në kopshtin tim. Mbyllni numrin më të madh të mundshëm të punëve ‘A’ para se të nisë fundjava dhe do të jeni në një formë të shkëlqyer për të ecur përpara. Bëni gati një email të rëndësishëm që duhet ta nisni ditën e hënë dhe lëreni në draft!

Yuri Elkaim, themelues dhe CEO i “Healthpreneur”, ish-atlet profesionist tha se:

Mendojeni fundjavën si një pushim i shkurtër. Nëse do të niseshit me pushime, cilën punë do të zgjidhnit të përfundonit më parë, me qëllim që të shijoni sa më shumë këtë minipushim? Më pëlqen t’i përfundoj të gjithë punët e rutinës së javës dhe e vetmja që për të cilën dua të shqetësohem të dielën në mbrëmje është për email-et që duhet të nis të hënën. Kjo teknikë më ndihmon të shmang gjëra për të cilat do të preferoja të mos shpenzoja shumë kohë. Në vend të kësaj mund të përqendrohem në gjëra që më pëlqen të bëj më shumë dhe të eci përpara me biznesin tim.

Guy Sheetrit, CEO i “Over The Top SEO”, e cila jep zgjidhje të personalizuara për marketing SEO për e-commerce, kompanitë lokale dhe ‘Fortune 500’ tha se:

Gjëja kryesore për mua është të kem një plan solid veprimi për javën e ardhshme, t’i jap përparësi agjendës sime, nga punët më të rëndësishme tek ato më pak të tilla. Më pas, duke nisur nga e hëna në mëngjes, përqëndrohem se si t’i bëj këto gjëra duke ruajtur rendin e tyre. M’u deshën rreth 3 javë për ta vënë në zbatim këtë rregull. Tani kryej punët më të rëndësishme çdo javë, e menaxhoj më mirë kohën dhe i shijoj edhe më shumë fundjavat.

Michel Falcon, sipërmarrës dhe folës i shquar me ekspertizë në përvojën e klientit, kulturën e kompanisë dhe angazhimit të punonjësve tha se:

Çfarëdo gjëje që planifikoj në agjendë, e kryej. Bëj gjithnjë një agjendë për javën e ardhshme dhe rianalizoj katër fusha të jetës sime të cilat janë shëndeti, jeta personale, biznesi. Vetëm kështu e përcaktoj se kur do të bëj ushtrime fizike, me cilin prej anëtarëve të familjes apo miqtë do të bëj një bisedë të rëndësishme, çfarë duhet të bëj në mënyrë që biznesi im të ecë para, etj. Një nga gjërat që nuk më pëlqen dhe për të cilën ju këshilloj, është ta nisni të hënën duke kontrolluar email-in dhe të mendoni: ‘Nga duhet t’ia nis?’. Më pëlqen t’i kaloj fundjavat e qeta duke e ditur se kam planifikuar gjërat kyçe në jetën personale dhe profesionale.