Aktualitet

Para droge, SPAK-u kërkon konfiskimin e pasurive të 15 personave dhe familjarëve!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka hetuar 16 persona për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe ka kërkuar konfiskimin e një numër të madh pasurish të paluajtshme e të luajtshme si dhe llogari bankare.

Sipas njoftimit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin pasuror nr.02 datë 26.01.2024, në ngarkim të shtetasve Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Muçollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuçi, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Serçan dhe personat e tjerë të hetuar në kuadër të këtij hetimi penal si dhe familjarëve të tyre.

Procedimi pasuror nr.02, datë 26 janar 2024, përfshin sekuestrimin e 43 automjeteve, 4 motomjeteve, 18 pasurive të paluajtshme, 25 subjekteve tregtare dhe 6 shoqërive aksionere, ndërsa u dokumentuan 92 masa sigurimi personal, nga të cilat 65 për shtetas shqiptarë. Ky operacion i koordinuar, i koduar “Muratori”, u zhvillua më 5 shkurt 2024 në disa shtete në bashkëpunim me Eurojust, Prokurorinë e Firences dhe Prokurorinë e Posaçme shqiptare.

SPAK sqaron se, operacioni “Muratori” u zhvillua në disa shtete nën koordinimin e Eurojust, Prokurorisë së Republikës së Firences dhe Prokurorisë së Posaçme dhe janë ekzekutuar 92 masa sigurimi personal, 65 prej të cilave për shtetas shqiptarë si dhe janë dokumentuar të gjitha pasuritë e këtyre shtetasve në Republikën e Shqipërisë.

Pasuritë e identifikuara në pronësi të shtetasve; Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Mucollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Sercan dhe familjarëve të tyre, të paluajtshme apo të luajtshme kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë së tyre kriminale të zhvilluar në Shqipëri dhe Itali.

Në kushtet kur pasuritë objekt kërkese për konfiskim janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara në nenet 3, 7, 11, 12, 14 dhe 15 të ligjit Nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” – i ndryshuar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të procesit të verifikimeve pasurore i kërkon me datë 25.10.2024 Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:

43 (dyzetetre) automjete

4 (katër) motomjete

18 (tetëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme

25 (njëzetepesë) subjekte tregtare si; SH.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar) dhe P.F (Person Fizik)

6 (gjashtë) shoqëri aksionere – konkretisht konfiskimi i përqindjeve takuese të personave të hetuar dhe familjarëve të tyre
Llogari bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë të personave të hetuar si dhe familjarëve.