Bota

Papa në Indonezi: Mos e përdorni fenë për nxitje konfliktesh!

Papa Françesku paralajmëroi kundër përdorimit të fesë për të nxitur konflikte. Apeli u bë në kuadër të një deklarate që nënshkroi me imamin e madh të Indonezisë, para mbajtjes së një meshe në Xhakartë. Firma e hedhur në xhaminë Istiqlal, ishte një prej hapave të fundit kyç të vizitës treditore të Atit të Shenjtë në Indonezi, shtetin me popullsinë më të madhe myslimane në botë. Harmonia fetare, në fokus të udhëtimit të Papës.

Në fjalimin në xhami, Papa Françesku tha se “nëse shikojmë më thellë… ne do ta zbulojmë se të gjithë jemi vëllezër, të gjithë pelegrinë, të gjithë në rrugën tonë për te Zoti”.

Teksa paralajmëroi kundër përdorimit të fesë për të nxitur konflikte, po ashtu vuri në dukje se kriza mjedisore është kërcënim ekzistencial për civilizimin njerëzor. Gjatë vizitës në Indonezi, ai u takua me udhëheqësit e gjashtë feve zyrtare në Indonezi.

Ne duhet të marrim përgjegjësinë që të adresojmë me seriozitet krizat që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit, sikurse luftërat dhe konfliktet…. dhe krizat mjedisore, të cilat janë pengesë për rritjen dhe bashkëjetesën e popujve, tha numri një i Kishës Katolike.

Gjatë vizitës së Papës në xhaminë Istiqlal, kryemami Nasaruddin Umar lexoi pjesë të Kuranit ndërsa një vajzë e verbër, një pjesë nga Bibla. Xhamia gjendet përballë katedrales në Xhakartë dhe të dyja objektet janë të lidhura “nga tuneli i miqësisë”, si një simbol i vëllazërisë fetare.

Papa Françesku vizitoi tunelin para se të takohej me klerikun e lartë mysliman. Ati i Shenjtë ka vizituar disa shtete me shumicë myslimane dhe më 2019-ën u ndal në Emiratet e Bashkuara Arabe. Me imamin e madh të këtij shteti, sigloi një dokument vëllazërie mes popujve.

Në Indonezi, 242 milion persona apo 87% e popullsisë janë myslimanë. Ndërkaq, rreth 8 milion apo afërsisht 3% janë katolikë.