Aktualitet

Pamjet e mikpritjes së presidentit Zelenskyy në Kryeministri!

Në Kryeministri, kryeministri Edi Rama priti Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Takimi me Ramën ishte i pari në axhendën e ngjeshur të Zelenskyy-t, në këtë vizitë gjithashtu të parë në Shqipëri dhe që i parapriu atij mes dy delegacioneve ku pritet firmosja e një marrëveshjeje dypalëshe.

“Mikpritja për herë të parë e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, liderin e rezistencës heroike”, u shpreh Rama krahas pamjeve nga pritja në ambientet e Kryeministrisë.

Presidenti Zelenskyy do të marrë pjesë në Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”, sot në Pallatin e Kongreseve. Aty marrin pjesë 13 udhëheqës të 13 shteteve nga Europa Juglindore.

Zelensky konfirmoi se palët do të diskutojnë bashkëpunimin politik dhe atë të mbrojtjes, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Në një postim në X, shkroi:

Sot punoj në Tiranë. Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në samitin Ukrainë-Europa Juglindore.

Në bisedimet tona dypalëshe me Kryeministrin dhe ekipin e tij do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politik, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7-ës, të cilën ne e vlerësojmë shumë.

Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik në samitin “Ukrainë-Europë Juglindore” që tashmë po mbahet për herë të dytë. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë e të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër. Do të zhvilloj edhe bisedime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit.

Presidentit ukrainas, kryeministri Rama i tregoi edhe ekspozitën më titull: “Ukraina, një krim lufte” ku janë ekspozuar 50 imazhe tronditëse si dëshmi e agresionit rus. Ekspozita është e hapur për publikun nga sot dhe deri në 23 mars, në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri. Po ashtu, shefi i qeverisë shqiptare i dhuroi presidentit Zelenskyy albumin e tij me piktura.