Aktualitet

Pallati që “fundosi” Vangjush Dakon, Top Channel siguron dosjen!

Leja e ndërtimit e para 11 viteve, për një pallat në lagjen nr.5 të Durrësit u bë shkak për arrestimin e Vangjush Dakos e të tjerë ish-zyrtarëve të bashkisë. Pallati  pësoi dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Pas hetimeve të SPAK-ut, një vit më parë, u gjetën shkelje nga ana e ish kryebashkiakut Vangjush Dako dhe disa prej ish-zyrtarëve të tjerë.

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Dakos e të 4 ish-zyrtarëve të Drejtorisë së Urbanistikës në Bashkinë Durrës, përfshirë ish-drejtorin Adhurim Qehajaj, si dhe pronarin e një kompanie ndërtimi, Fiqiri Farku e inxhinieren e kompanisë. “Arrest me burg” u kërkua për tre ish-punonjëse të Bashkisë së Durrësit. Në dosjen e siguruar nga Top Channel, thuhet:

Në lidhje me faktin objekt hetimi të kallëzuar nga banorët e pallatit të ndërtuar nga shoqëria “Fakle” sh.p.k. Nga hetimet nga prokuroria është administruar nga Drejtoria e Urbanistikes Pranë Bashkise Durrës, i gjithë dokumentacioni i dosjes në të cilën bazohet vendimi për miratimin e lejes së ndërtimit, deri në marrjen e lejes së shfrytëzimit për këtë objekt. Nga sa rezulton nga aktet, në datën 06 Maj 2009 administratori i Shogërise “Fakle sh.p.k.” shtetasi Fiqiri Faruku, ka paraqitur kërkesën për miratimin e kondicioneve të sheshit e ndërtimit pranë Sekretarisë Teknike të Këshillit të Rregullimit të territorit pranë Bashkisë së Durrësit me qëllim zhvillimin më pas të sheshit për të ndërtuar në te një objekt 1, 4, 6 dhe 7 kate+ papafingo+garazh nëntokë e kati përdhe dyqane. Sipas kërkesës lartësia e përgjithshme e objektit do të ishte 23.2 m dhe koeficenti i shfrytëzimit të truallit 88.3%.

Në datën 15 Korrik 2010, shoqëria ndërtuese ka marrë “Pëlqim mjedisor” me Nr. 81 Prot., date 15 Korrik 2010 me Nr. 40 me vendim te Agjencisë Rajonale te Mjedisit Durrës. Kjo agjenci ka dhënë’ mendim për “Pëlqim mjedisor” për ndërtimin e një shtese dy kate mbi objektin 1-4-6-7+papafingo+1 kat nëntokë” me sipërfaqe totale 250.7 m2. Së bashku me këtë dokument janë dhe dokumentet e tjera si lidhja e objektit me infrastrukturën inxhinierike, me objekt shtesë 2 kate +papafingo, mbi pallatin 7 katesh + 1 kat nëntokë. Në datën 02 Shtator 2010, është kontrolluar praktika nga specialisti i Urbanistikës së Bashkisë Durrës, dhe në formularin përkatës të pranimit të praktikës,  është përmendur dhe studimi gjeologjik, ndërkohe që për Studimin Sizmiologjik, specialisti ka nënshkruar se nuk nevojitej përderisa objekti është deri në shtatë kate.

Në datën 06 Shtator 2010, Departamenti i Urbanistikës pranë Bashkisë Durrës ka autorizuar subjektin për pagimin e taksave he tarifave, dhe konkretisht taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilat janë paguar nga subjekti në datën 07 Shtator 2010. Në datën 10 Shtator 2010 K.Rr.T. pranë Bashkisë Durrës, ka miratuar “destinacionin e sheshit të ndërtimit” dhe kondicionet urbane tê tij, me anë te formularit Nr. 2, Nr. 3989 Prot. Date 10- Shtator 2010, për objektin Godinë Banimi dhe shërbimi 1-4-6-7 kate mbi tokë dhe një kat nën tokë garazhe, kati përdhe shërbim. Lartësia e përgjithshme e miratuar është 21.5 m dhe jo 23.2 m sikurse ishte në kërkesën e subjektit. Koeficenti ndërtimit është miratuar 74.1 % dhe jo 88.3% siç është kërkuar nga subjekti, dhe siperfaqja e ndërtimit 222.3 m2 dhe jo 265 m2 sikurse ka paraqitur subjekti kërkesë. Nga ana e K.RR.T. nuk është miratuar leja e ndërtimit sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi- investitori sipërmarrës, pasi nuk është miratuar papafingo apo kati i tete i ndërtesës, dhe kjo konstatohet sipërfaqja është 1198.7 m2 Në datën 20 Dhjetor 2010, pra tre muaj e dhjetë ditë nga miratimi i lejes së ndërtimit.

Subjekti ndërtues “Fakle sh.p.k.” ka dorëzuar një kërkese për rikondicionim dhe shtesë kati për lejen e miratuar në Lagj. Nr. 05, me vendimin Nr. 3 të vitit 2010. Kjo kërkesë është protokolluar me Nr. 976 Prot., Datë 22 Dhjetor 2010, dhe bashkëlidhur edhe preventivi 1, 5, 10 kate +papafingo+garazh nëntoke me dyqane përdhe, me nje vlerë projektimi 55.227.910 lekë dhe grafiku i punimeve. Pra, subjekti pasi i është miratuar leja e ndërtimit nga K.RR.T e Bashkisë Durrës për shtatë kate, pa filluar ende punimet ka bërë kërkesë për rikondicionimin e sheshit të ndërtimit dhe ndryshime në projekt, dhe shtesë katesh, dhe kjo pa marrë ende leje për prishjen e objektit ekzistues ku do të ndërtohej ndërtimi. Pasi Kryetari i Bashkisë Durrës, personi nën hetim Vangjush Dako është njohur me këtë kerkesë, ja ka kaluar për veprime të mëtejshme urbanistikës.