Aktualitet

Pallatet e reja për familjet e prekura nga tërmeti në Kombinat, Veliaj: Sigurohemi t’i mbarojmë brenda vitit!

Banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Kombinat dhe lagjen “5 Maji” do të futen në shtëpitë e reja brenda vitit. Në inspektimin e punimeve për pallatet e reja në Kombinat, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se tashmë puna është afër fundit.

Po punohet dhe jemi afër fundit. Për ato që kanë mbaruar më përpara do të hedhim shortin, i cili do të organizohet njësoj si me shtëpitë te “5 Maji”. Pra, fëmijët e familjeve zgjedhin me short apartamentin ku do të banojë. Të ketë kismetin dhe sipas riskut që i takon. Ne do të sigurohemi që këtë stinë ta mbyllim njëherë e mirë historinë e tërmetit për Kombinatin dhe “5 Majin”. Në të gjitha ato rastet ku nuk kemi procese gjyqësore, bllokime të pronës, ku nuk na del një gjyqtar në ikje e sipër nga vetting-u që të bëjë atë golin e fundit për të na bllokuar punimet këtu a në varreza, a në një çerdhe, a diku tjetër, ne do të vazhdojmë.

Veliaj falënderoi qytetarët që kanë pasur besim në procesin e shpërndarjes së shtëpive ndërsa dha një përgjigje edhe për forcat politike që janë përpjekur ndër vite të bllokojnë procesin. Ai siguroi se banorët që humbën shtëpinë nga tërmeti do të marrin banesa shumë herë më të forta.

I falënderoj me zemër të gjithë qytetarët që kanë pasur besim. Forcat politike që u munduan ta shfrytëzonin fatkeqësinë e tërmetit për të na bllokuar, për të na sabotuar, për stërkëmbësha do të zhgënjehen rëndë. Në finale, njerëzit do të futen në shtëpinë e tyre, një shtëpi shumë herë më e mirë se shtëpia që lanë pas. Një shtëpi që është shumë herë më e fortë. Me të mbaruar kolaudimin, ne ia çojmë ministrisë. Me t’i marrë prapë nga qeveria me VKM, ne hedhim shortin dhe pastaj, secila familje merr kohën e vet për të bërë arredimet. Nuk do të mbyllet ky vit pa e mbyllur gjithë historinë e tërmetit, sigurisht për ata që janë nevojtarë, për ata që u takon.

Kryebashkiaku tha se ata që kanë bashkëpunuar për përfundimin e këtij projekti dhe nuk janë bërë mish për top nga partitë politike, kanë parë edhe rezultatet konkrete.

Kushdo që të bëhet mish për top për partitë dhe të rrijë gjykatave apo të bllokojë rrugën, mund ta bllokojë, nuk ka problem. Bashkia gjithmonë ka vazhduar përpara. U bënë 9 vite që nuk jemi thyer në asnjë nga betejat tona. Qytetarët janë dëshmitarë sot, të paktën te “5 Maji”, ku pjesa më e madhe kanë hyrë në shtëpi. Kush bashkëpunoi i pari, fitoi i pari, kush besoi u shpërblye, kush ishte bashkëpunues, mori edhe rezultatin e bashkëpunimit. Kur shikojmë që këto parti shkojnë nga humbje në humbje, dhe tkurren gjithnjë e më shumë është një apel për qytetarët: Ai që humb vetë, ai që mbytet vetë, nuk shpëton dot njeri tjetër. Ai që nuk rregullon dot partinë e vet, ai që i vë zjarrin zyrës së tij, nuk rregullon dot shtëpitë tona.

Veliaj u ndal edhe te projektet e ardhshme të bashkisë, duke përmendur rehabilitimin e lumit të Lanës. Ndërkaq, tha se pala tjetër do ta përdorë edhe këtë projekt të bashkisë si alibi për humbjen në zgjedhjet e radhës.

Thirrja për të gjithë qytetarët, edhe për ata që do të preken nga projektet e ardhshme, siç është projekti i Lanës, është: Ne nuk do të tërhiqemi dhe do të jetë një super projekt. Sigurisht, pala tjetër që do të humbasë zgjedhjet e radhës do të gjejë të Lana ndoshta “shpëtimin” për t’u mbytur në Lanë e do të bëjë atë lojën që bën gjithmonë. Por, sot qytetarët kanë 15 prova që me bashkinë dhe qeverinë së bashku, ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme, kur ka besim dhe bashkëpunim.