Pakëz dritë! Rezultatet në 4865 qendra votimi nga 5199 tregojnë se:
1.Opozita në nivel kombëtar ka marrë 46,37% të votave të shqiptarëve.
2. Partia Socialiste dhe PSD 51,03%. Dhe partitë e tjera, që pavarësisht spektrit, në retorikë ishin kundra sistemit dhe qeverisjes aktuale kanë marrë 2,6% të votave.
Thënë këto shifra (dhe ato janë të ftohta), të kqyrim faktet:
Në mes tyre, 2,25% e votave të PSD-së përkthehen në 3 mandate. 6,88% e votave të LSI përkthehen në 4 mandate. 48,78% e votave të PS përkthehen në 74 mandate. 39,49% e votave të PDsë përkthehen në 59 mandate. 2,6% të partive të tjera nuk përkthehen në asnjë mandat. Në këtë rezultat nuk janë përfshirë 77.192 fletë votimi të pavlefshme, që përkthehen në shumë mandate të djegura (8 a më shumë), që do të ndryshonin absolutisht emrin e fituesit. Për një shembull, Vlora me 58.848 vota për PS-në i ka dhënë plot 8 mandate kësaj force politike. Ndërkohë, rezultatet dalin sipas pjesmarres në votime, cënuar jo vetëm nga armata e frikshme e fletëve të pavlefshme, por edhe nga karantina e detyruar me Greqinë, pamundësimi i votës së emigrantëve, atyre aktivë me covid, personave me aftësi të kufizuara.
Vijojmë me një shembull, që vlen për çdo qark. Vlora nxjerr këtë rezultat mandatesh:
8 deputet PS dhe 4 deputet PD me 101 652 votues.
58 845 vota PS
32.067 vota PD
5.000 të pavlefshme
10.748 vota parti të tjera
Pra me 11. 758 vota më shumë se të tjerët në 101.652 votues në Vlorë rezultati del 8 deputetë PS e 4 PD. Dhe ndërsa 11.758 votues janë të papërfaqësuar, 58.848 çojnë 8 deputetë për PS-në në parlament. Matematikë e përçudnuar sistemi. Thënë këto, shtojmë faktin se sistemi në Shqiperi është një formë autokracie, ku bandat qarkullojnë të lira me karta identiteti e para në duar; ku të dhënat personale janë shpërndarë sheshit në aktin më të paprecedent duke u vërtetuar me fakte se karta identiteti të personave, që nuk kanë votuar janë përdorur në këto zgjedhje; ku një parti, kryetari i së cilës është shpallur person non grata nga Departamenti i Shtetit për korruspion masiv merr 3 deputetë, që ia çon sistemit autokratik; ku kallëzimet penale për krim zgjedhor deri në mesnatën e ditës së zgjedhjeve qenë 175 krahasuar me 64 të zgjedhjeve të 2017-ës; ku formula zgjedhore përçudnon vullnetin e shqiptarëve duke lënë mijra vota të papërfaqësuara me mandat dhe me po aq vota i jep partisë në pushtet 2-3 mandate plus, ku kushtetuta ndryshohet në mënyrë të njëanshme nga pushteti autokratik, duke shkelur edhe marrëveshjen e sigluar nga arbitra ndërkombëtarë për të ndaluar koalicione parazgjedhore, akt që zbret automatikisht në llogari mandate deputetësh për opozitat edhe me vullnet të shprehur elektoral.
Pra në ato llogaritje të mësipërme, ku vullneti opozitar është goditur rëndë nga akte normative, ndryshime arbitrare kushtetuese, vendime administrative nga partia-shtet e parlamenti jo pluralist dhe ku dhjetra partitë e reja me retorikë opozitare hynë duke ditur se do të çonin vota dëm prej një sistemi përbindësh, kujtoni edhe si dalin rezultatet e opozitave në vende të tjera autokratike. Të gjitha më sipër janë fakte, të kontrollueshme e verifikueshme.
Për të qënë korrekt sidomos me cinikët e ditës, që nuk duan të gjykojnë fituesin dhe që me hunj i kanë hyrë humbësit në një autokraci pa shoqëri civile, me media të kapura, në një ekonomi oligarkike ku miliardat u merren shqiptarëve për t’i gëzuar një grusht njerëzish, me sistem drejtësie të pakolauduar, sapo dalë nga “fabrika” e një reforme drejtësie ndërtuar në shkelje flagrante kushtetute, ku krimi zgjedhor i shkuar nuk u ndëshkua dhe ku 450.000 shqiptarë janë larguar nga vendi në 10 vitet e fundit.
E për epilog, në një qendër votimi në Finiq, ku duhet të votonin 600 persona, por mbetur as çereku prej emigracionit votuan 95 persona (të tjerët, që vinin çdo palë zgjedhje nuk mundën, sepse u kushtëzuan nga karantina me Greqinë e komitetit teknik). 505 fletët e tjera u zhdukën. Se çfarë është e aftë të bëjë një fletë votimi e vetme, boshe, e dalë jashtë qendrës së votimit e dëshmon vota “tren” a “karusel”. Roberto Saviano, në librin e tij Gomorrah dëshmon se si manipulohen nga Kamorra votat për kryebashkiakun e Napolit.
Po ju vendos linkun e videos nga filmi me të njëjtin titull, ku shkruhet “Si fitohen zgjedhjet” dhe ju vlen për ilustrim për të kuptuar se ç’mund të bëhet me 505 fletë të zhdukura votimi. Dhe në fund, çdo shqiptari, të majtë e të djathtë, militant a jo, i thjeshtë a VIP i them se bindjet mund t’i kemi të ndryshme, por vendin me gjithë qeveri e institucione, ajër, ujë e tokë e ndajmë bashkë e për ne që kemi vendosur të jetojmë këtu ka një entitet që na bën esëll: fëmija ynë. A është kjo Shqipëria, që meriton?