Aktualitet Bota Rajoni

Paketa e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, BE-ja pranë përmbylljes!

Bashkimi Europian shumë pranë përmbylljes së procedurave të miratimit të axhendave të reformave të Ballkanit Perëndimor. Paraqitja e tyre ishte kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë 6 miliardë euro. Plani u miratua në muajin maj nga Unioni e mes përfituesve në rajon është edhe vendi ynë.

I vetmi vend i rajonit, që ende nuk mund të presë miratimin e axhendës së tij është Bosnjë-Hercegovina, pasi dokumenti që i çoi Bllokut nuk ishte i kompletuar dhe nuk adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Europian. Pritet që më 16 tetor, Brukseli zyrtar të miratojë vendimin për zbatimin. Në këtë mënyrë, Komisioni Europian do të jetë i gatshëm të kryejë edhe pagesat e para nga paketa në fjalë.

Por para se të bëhen pagesat, vendet përfituese duhet që të nënshkruajnë marrëveshjet e t’i ratifikojnë ato në parlamentet respektive. Dy miliardë euro janë para’ pa kthim, pjesa tjetër, kredi të favorshme. Ndaj, përfituesit duhet t’i ratifikojnë akordet, që të detyrohen për kthimin e parave nga kreditë e favorshme.

Për shkak të procedurave që kërkojnë kohë për miratimin e marrëveshjeve të tilla, vështirë se mund të parashikohet koha se kur do të bëhen pagesat e para dhe se për cilin vend të rajonit. Realisht, ato mund të realizohen në fillim të vitit të ardhshëm, por nëse ndonjë shtet nxiton dhe e kryen më herët procedurën e ratifikimit të marrëveshjeve, atëherë këto mjete do të duhet që të paguhen më herët.

Ideja e Bashkimit Europian është që të gjitha vendeve, për të cilat do të miratohen axhendat e reformave dhe të rritjes, t’u ndahet si “pagesë parafinancuese” shuma prej 7% e mjeteve të dedikuara për to.

Me këtë paketë, Unioni synon që të ndihmojë rritjen ekonomike në vendet e rajonit e kështu, të mund të përshpejtojë procesin e integrimit të tyre europian.

Shqipëria do të mund të përfitojë në total 922 milion euro, ndërsa si mjete “parafinancuese”, 64.5 milion.

Llogaritja e mjeteve financiare në dispozicion për secilin shtet u bë mbi bazën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), si dhe numrit të banorëve e disa kritereve të tjera. Që në prezantimin e parë të këtij plani, më herët këtë vit, vendeve të rajonit iu bë e qartë se nëse ndonjëri nuk i kryen reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma e dedikuar për të do t’u shpërndahet vendeve të tjera.