Rajoni

Pak serbë të Kosovës në debatin për hapjen e urës mbi Ibër!

Në Mitrovicë të Veriut ka nisur debati për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që po kundërshtohet nga serbët vendas e bashkësia ndërkombëtare. Në debat po marrin pjesë përfaqësuesit e kësaj komune dhe ata të Qeverisë së Kosovës. Por, sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, pjesëmarrës janë pak qytetarë serbë dhe shumica e të pranishmëve janë nga asambleja komunale, si dhe përfaqësues të OSBE-së e mediave.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ura do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë, që do të kontribuojë në lehtësimin e kontakteve të qytetarëve në jug dhe veri.

Tashmë është absurd vazhdimi i mbajtjes mbyllur të urës. Hapja nuk është dhe nuk do të jetë kundër askujt.

Disa qytetarë serbë, të pranishëm në debat, thanë se nuk është e nevojshme që të hapet ura dhe mjafton që të jetë për këmbësorët. Po ashtu u ankuan për praninë e madhe policore në veriun e banuar me shumicë serbe. Pjesëmarrësit serbë dhe shqiptarë shprehën frikën për rritjen e tensioneve në rast të hapjes së urës, duke kërkuar garanci.

Ministri Krasniqi tha se shteti garanton se do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarë.

Po, shteti garanton që do të jetë në krye të detyrës që siguria publike në secilin cep të Kosovës të jetë në nivel që qytetarët të jenë të sigurt. Këtu ka një histori edhe të trazirave, kërcënimeve edhe të nxitjeve, por urat kanë një qëllim që ndërtohen: t’i bashkojnë pjesët që ndahen. Hapja e urës nuk paraqet kërcënim për komunitetet.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se ky institucion garanton për një “siguri shumë të madhe” nëse hapet ura. Ndërkaq, Jeta Tela nga Ministria e Punëve të Brendshme u shpreh se ura do të duhej të ishte hapur shumë kohë më parë.

Besoj që jemi shumë vonë për hapjen e urës, do të duhej të ishte hapur më herët. Sot ne do të duhej të flisnim për problemet kryesore që Mitrovica i ka si papunësia e problemet e tjera që i prekin drejtpërdrejtë qytetarët sepse u përmend disa herë që urat vetëm na bashkojmë. Kemi edhe garancinë që u dha nga policia për të monitoruar situatën në rast të ndonjë shqetësimi.

MPB-ja është e përkushtuar që të rrisë bashkëpunimin mes policisë dhe komunitetit në këtë pjesë të Kosovës, duke theksuar se është e rëndësishme që pjesëtarët e komunitetit serb të marrin pjesë edhe në forumet e sigurisë.