Së fundmi, këngëtari i njohur Ed Sheeran është urdhëruar të dalë në gjyq në SHBA për pretendimet se ka kopjuar këngën ‘Thinking Out Loud’ nga Let’s Get It On i Marvin Gaye. Një gjykatës mohoi ofertën e Sheeran për të pushuar çështjen. Ai tha se një juri duhet të vendosë për ngjashmëritë midis këngëve. Pretendimi u parashtrua fillimisht në vitin 2018. Padia nuk erdhi nga familja e Gaye, por nga bankieri i investimeve David Pullman dhe një kompani, “Structured Asset Sales”.
Duke kërkuar 100 milionë dollarë dëmshpërblim, ata pretendojnë se Sheeran dhe bashkë-tekstshkruesja e tij Amy Wadge kopjuan dhe shfrytëzuan, pa autorizim këngën e Gaye. Gjykatësi i qarkut të SHBA, Louis Stanton përmendi një mosmarrëveshje midis ekspertëve muzikorë në të dyja anët e padisë si arsye për urdhërimin e gjyqit.
Kjo nuk është hera e parë që Sheeran përballet me probleme ligjore. Ai shkoi në gjyq për këngën ‘Shape of You’ në mars. Artisti u akuzua se kishte përdorur pjesë nga një këngë e vitit 2015 nga Sami Chokri dhe Ross O’Donoghue. Megjithatë, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë arriti në përfundimin se nuk kishte plagjiaturë. Ndërkaq, Sheeran tha se:
Shpresoj që ky vendim do të thotë që në të ardhmen pretendimet e pabaza si ky mund të shmangen. Kjo me të vërtetë duhet të marrë fund. Është vërtet e dëmshme për industrinë. Rastësia do të ndodhë nëse 60,000 këngë publikohen çdo ditë në Spotify.
Kënga “Shape of You” i solli Sheeranit dhe partnerëve të tij përfitime prej rreth 5.8 milionë euro. Rikujtojmë, se së fundmi Ed Sheeran ka thyer një rekord të madh, pasi kënga e tij “Bad Habits” e ka bërë atë artistin më të dëgjuar në Britani të Madhe, si dhe kënga më e dëgjuar e vitit 2021.