Aktualitet

Pak muaj pasi u lirua, Durim Bami arrestohet sërish në Dubai!

Durim Bami, një nga protagonistët më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, u arrestua për herë të dytë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Mësohet se ndalimi i Bamit u krye në fillim të javës që po lëmë pas, pikërisht në datën 21 tetor 2024 dhe ky informacion konfirmohet nga burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha.

Raportohet se Durim Bami është ndaluar nga policia e Dubait dhe prej disa ditësh po mbahet nën arrest. Nuk dihet me saktësi se cilat janë rrethanat që kanë shtyrë arrestimin e tij për të dytën herë nga policia e Emirateve ndërsa më herët dështoi sjellja e tij në Shqipëri. Informacionet në lidhje me arsyen e arrestimit të Bamit në Dubai, po mbahen tepër diskrete nga Policia e Shtetit dhe nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, SPAK.

Kujtojmë këtu se herën e parë, ai u ndalua për llogari të SPAK-ut, në muajin qershor të këtij viti, pasi në maj, po 2024, prokurorët e posaçëm kishin lëshuar një mandat arresti për Durim Bamin, si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e Partisë Socialiste në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe për sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinajt, Erigers Mihasin e Hektor alias Tori Xheçuka.

Por për këtë arrestim, Durim Bami, mundi të lirohet nga gjykata e Dubait pavarësisht se ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme premtuan sjelljen e tij para drejtësisë. Ende nuk dihet me saktësi nëse ndaj Durim Bamit është lëshuar një masë sigurimi e dytë “Arrest me burg” nga SPAK-u që detyroi policinë e Dubait të rivihet në lëvizje për të arrestuar për herë të dytë, Durim Bamin.

Tashmë, ai mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastet e Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, dy njerëzve të grupit të Durrësit, të akuzuar për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit Arjan Ndoja./Top Channel