Bota

Pajisjet e komunikimit që shpërthyen në Liban e Siri u prodhuan në Hungari!

Tajvanezja “Gold Apollo” konfirmoi se ka autorizuar përdorimin e markës së saj në pejxherat që dje shpërthyen në Liban e në Siri, por se ato janë prodhuar nga një kompani tjetër, me bazë në Hungari. Pajisjet e telekomunikimit me valë, të përdorura nga grupi militant Hezbollah, i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara, dje shpërthyen në të njëjtën kohë në të dy vendet, si Liban ashtu dhe Siri.

Pejxhërat janë prodhuar nga BAC Consulting KFT në Budapest. Referuar marrëveshjes së bashkëpunimit, ne autorizojmë BAC të përdorë markën tonë për shitjet e produkteve në rajone të caktuara, por dizajni dhe prodhimi i produkteve është përgjegjësi e BAC-ut.

Numri një i Gold Apollo-s, Hsu Ching-kuang, iu tha gazetarëve se kompania e tij ka pasur marrëveshje licencimi me BAC-un por nuk tregoi pjesë nga kontrata.

Në shtetin libanez u vranë 9 vetë, mes tyre dhe një vajzë 8-vjeçe ndërsa fillimisht u raportuan 18 viktima. Të plagosurit janë mbi 2 mijë e 700, të paktën 200 prej tyre në gjendje kritike.  Hezbollahu dhe qeveria e Libanit kanë fajësuar Izraelin për atë që u duk të ishte një sulm i sofistikuar nga largësia, siç raporton Associated Press. Hezbollahu u zotua të hakmerret.

Do të vazhdojmë operacionet në mbështetje të palestinezëve në Gaza. Armikun e pret një çmim i rëndë në përgjigje të masakrës së djeshme.

Mes të plagosurve është dhe ambasadori i Iranit në Liban. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk kishin dijeni paraprake për shpërthimet” e konfirmoi se nuk ishin të përfshira.

Aktualisht po mbledhim informacione.

Ekspertët thonë se shpërthimet e pejxhërsave tregojnë për një operacion të planifikuar prej kohësh, ndoshta i kryer përmes infiltrimit në zinxhirin e furnizimit dhe duke i manipuluar pajisjet me lëndë shpërthyese, para se ato të mund të dërgoheshin në Liban.

“Shpërthimet misterioze” ndodhën në kulmin e tensioneve në rritje mes Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani. Hezbollahu ka një bazë të rëndësishme në Liban dhe ka shkëmbyer zjarr me Izraelin që nga sulmi i Hamasit i 7 tetorit të vitit të kaluar në territorin izraelit e që shkaktoi luftën në Rripin e Gazës e që vijon prej rreth 12 muajsh.