Në këtë të premte sportive, diskutimi në studio në ‘Paso’ përpos të rejave më të fundit rreth futbollit dhe analizave të përhershme javore u zgjerua edhe lidhur me sportin e volejbollit. E ftuar në studio për të folur lidhur me këtë ka qenë volejbollistja e njohur, Ida Zavalani.
Fillimisht, Ida ka treguar se ku ushtrohen volejbollistet, në çfarë kushtesh dhe a paguajnë ato për vendin.
Me kushte tamam nuk ka. Parku Olimpik në Tiranë, “Feti Borova” i përmbush deri diku standardet. Kemi pastaj edhe atë të Durrësit, Vlorës. Ekipet e volejbollit nuk mund të përdorin palestrat e shkollave për ndeshje, vetëm ato që janë zyrtarizuar nga Federata. Ekipi i Tiranës nuk paguan gjë se është në shtëpinë e vet. Ekipi i Partizanit e zhvillon praktikën te “Asllan Rusi” dhe është i detyruar të paguajë.
Ida, gjithashtu tregoi edhe se si i hyri botës së sportit duke zbuluar se fillimisht kishte nisur me një tjetër sport.
Kur kam filluar volejbollin, në shtëpinë time ka qenë kulturë basketbolli. Ashtu e nisa në fillim, por një trajner më tha që kam konstrukt për volejbolliste. Për mua ka qenë gjëja që kam dashur më shumë në jetë edhe pse më ndodhi një dëmtim dhe nuk arrita dot të jem aty ku duhet, jua them gjithmonë vajzave të reja të vazhdojnë ëndrrën e tyre. Këtu te ne është fatkeqësi të merresh me sport, pasi unë paguhesha vetëm 48 mijë lekë të vjetra në muaj, nuk dilnin as për ilaçe rrobash. Por adrenalina, etika që të jep dhe regjimi janë shumë të rëndësishme.
Ajo gjithashtu tregoi se përse trajnerët në ekipet sportive janë më së shumti të gjinisë mashkullore dhe jo të gjinisë femërore.
Sporti ka tjetër impenjim e kush tjetër veç meshkujve mund ta bënte më mirë këtë. Femrat kanë të tjera angazhime.