Bota

Pagoi një të mitur për foto erotike, ja kush është ikona e BBC-së në qendër të skandalit!

Eshtë Huw Edwards, gazetari ikonë i BBC-së i pezulluar nga detyra pas akuzave se ka paguar një vajzë të mitur për foto me përmbajtje seksuale. Lajmi është bërë i ditur prej më shumë se një jave, por nuk zbulohej identiteti i personit të përfshirë.

Zbulimin e bëri bashkëshortja e 61-vjeçarit, Vicky Flind. Sipas saj, Edwards vuan nga probleme serioze të shëndetit mendor dhe aktualisht “po trajtohet në spital, ku do të qëndrojë për një kohë të papërcaktuar”.

Deklarata erdhi pasi policia tha se nuk ka prova që Edwards ka kryer vepër penale dhe se do t’i jepte fund hetimeve në lidhje me rastin.

Sipas mediave britanike, ai pagoi një vajzë nën 17-vjeç për foto erotike, çka përbën vepër penale. Zyrtarët e policisë thanë se kanë arritur në përfundimin se nuk ka prova për të mbështetur këtë pretendim.

Edwards punon prej 39 vitesh në BBC në detyra të ndryshme. Ishte ai që dha lajmin e rëndësishëm për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabetë, shtatorin e kaluar.

Flind, e cila ka 5 fëmijë me gazetarin e lajmeve dha në një deklaratë:

Në dritën e raportimeve të fundit në lidhje me “prezantuesin e BBC”-së po e bëj këtë deklaratë në emër të bashkëshortit tim, Huw Edwards pas ditëve jashtëzakonisht të vështira për familjen tonë. Këtë po e bëj kryesisht nga shqetësimi për mirëqenien e tij mendore e për të mbrojtur fëmijët tanë.

Huw po vuan nga probleme serioze të shëndetit mendor. Siç është dokumentuar, ai është trajtuar për depresion të rëndë vitet e fundit. Ngjarjet e ditëve të fundit i kanë përkeqësuar gjërat. Tani po merr trajtim spitalor, ku do të qëndrojë për një kohë të papërcaktuar.

Sapo të bëhet mirë, synon t’u përgjigjet pretendimeve që kanë dalë. Për të qenë të qartë, fillimisht Huw-it iu tha se kishte akuza kundër tij. Do të doja të kërkoja të respektohet privatësia e familjes. E di që Huw-it i vjen thellësisht keq që kaq shumë kolegë janë ndikuar nga spekulimet e fundit mediatike. Shpresojmë që kjo deklaratë t’i japë fund kësaj!