Aktualitet

Pagesat elektronike, ja si do realizohet dhe kategoritë që përfitojnë…

Të financuar nga qeveria shqiptare, për një periudhë 4-mujore, 300 qytetarët e përzgjedhur në Tiranë, Dibër dhe Përmet do të kryejnë pagesa të shpejta elektronike nëpërmjet telefonit të tyre, duke skanuar kodin QR të gjeneruar nga sistemi i fiskalizimit.

Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit shprehet se kjo nismë është pjesë e projekteve të qeverisë për të rritur përfshirjen financiare, ulur numrin e  transaksioneve me para fizike në ekonomi, dhe më e rëndësishmja, për të reduktuar kostot e transaksioneve për bizneset dhe konsumatorët.

“Sot dua të ndaj me ju një hap transformues që vendi ynë po ndërmerr për të modernizuar shërbimet tona financiare, lançimi i projektit pilot për mundësimin e pagesave të shpejta në ekonominë shqiptare. Kjo nismë është pjesë e projekteve tona për të rritur përfshirjen financiare, për të ulur numrin e transaksioneve në para fizike në ekonomi, pra në kesh, dhe më e rëndësishmja për të ulur koston e transaksioneve për biznesin dhe konsumatorët”, thekson ajo.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit tregon dhe kategoritë të cilat do të përfshihen fillimisht në këtë projekt pilot. “Projekti do të fillojë në tre qytete, Tiranë Dibër dhe Përmet ku 300 individë do të jenë pjesë e skemës pilot të cilat do të kryejnë pagesat përmes aplikacioneve të ofruara nga bankat dhe institucionet e parasë elektronike në bizneset e vogla dhe të mesme pranë zonave ku banojnë. Të financuar nga qeveria shqiptare për një periudhë 4-mujore, qytetarët e përzgjedhur do të kryejnë pagesa të shpejta elektronike nëpërmjet telefonit të tyre duke skanuar kodin QR të gjeneruar nga sistemi i fiskalizimit. Nëse ti je një pronar biznesi që paguan për furnizime, një qytetar që merr pensionin, një anëtar familje që mbështetet në të dashurit që jetojnë jashtë apo një student që menaxhon buxhetet, pagesat e shpejta do të mundësojnë që transaksionet tuaja të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe më pak të kushtueshme”, thekson Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.