Ylli i muzikës pop, Lizzo është paditur nga tre ish-balerinat e saj për ngacmim seksual dhe krijimin e një mjedisi pune armiqësor. Padia përfshin akuza për ngacmim seksual, fetar dhe racor, diskriminim, sulm. Arianna Davis, Crystal Williams dhe Noelle Rodriguez janë ish-balerinat që kanë ngritur padinë. Padia, e ngritur në Los Angeles, përfshin pretendimet se balerinat ishin të detyruara të duronin sjellje denigruese seksuale dhe u vunë nën presion për të marrë pjesë në shfaqje seksi midis 2021 dhe 2023.
Ndër pretendimet kundër Lizzo, emri i vërtetë i së cilës është Melissa Viviane Jefferson janë se ajo “i bëri presion Davis të prekte gjoksin” e një interpretuesi në një klub nate në Amsterdam. Lizzo është gjithashtu e akuzuar, së bashku me koreografin Tanisha Scott, për komente denigruese ndaj balerinëve gjatë turneut.
Paditëset gjithashtu pretendojnë se Lizzo dhe ekipi i kompanisë së prodhimit nuk i kanë paguar ata në mënyrë të drejtë gjatë turneut evropian të këngëtares. Ato pretendojnë se u është ofruar vetëm 25% e pagës së tyre javore kompensuese gjatë kohës që nuk performonin në turne, ndërsa interpretuesit e tjerë morën 50% dhe ato gjithashtu pretendojnë se u ishte thënë të mos punonin në projekte të tjera gjatë turneut.