Aktualitet Politikë

Padi në SPAK, Gazment Bardhi: Të hetohet shitblerja e paligjshme e energjisë elektrike!

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka paditur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zëvendëskryeministren Belinda Balluku, njëherësh, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga kryesia e Kuvendit, kryetari i grupit, Gazment Bardhi tha se ministrja socialiste ka shmangur shitblerjen e energjisë në bursë për të favorizuar 4-5 kompani pranë saj.

Bardhi u shpreh se raportet e Entit të Energjisë provojnë se KESH-i ka shkelur ligjin vitin e kaluar dhe deri në këtë moment që flasim, pasi nuk e ka nxjerrë energjinë e pakontraktuar në Bursë.

Jam sot këtu para jush për të denoncuar publikisht dhe më pas, për t’i kërkuar SPAK-ut hetimin e një prej skemave më korruptive të kësaj qeverie, shitblerjen e paligjshme të energjisë elektrike me një abuzim që vetëm për 1 vit, llogaritet në mbi 180 milion euro. Përgjegjësja kryesore për zbatimin e kësaj skeme korruptive që vjedh Buxhetin e Shtetit dhe kalon miliona euro në llogaritë e 4-5 kompanive private është ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në informacionin që grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, shpjegohen me detaje dhe paraqiten me dokumente të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Belinda Ballukut, e cila ka lejuar që energjia elektrike të shitet me humbje jashtë tregut të Bursës, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet në fuqi, duke vjedhur hapur qytetarët shqiptarë.

Me vendosjen në funksion të Bursës Shqiptare të Energjisë vitin e kaluar, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kishte detyrimin ligjor të tregtonte në bursë energjinë e pakontraktuar, por kjo nuk ka ndodhur. Raportet e Entit të Energjisë provojnë se KESH-i ka shkelur ligjin vitin e kaluar dhe deri në këtë moment që flasim, pasi nuk e ka nxjerrë energjinë e pakontraktuar në Bursë, por e ka blerë shtrenjtë dhe e ka shitur lirë tek kompani private seksere të shitblerjes së energjisë elektrike.

Vitin e kaluar, KESH-i deklaroi se jashtë bursës bleu rreth 561 mijë megavat-orë me çmim më të lartë nga sa shitej në bursë. Llogaritjet zbulojnë një dëm prej rreth 6 milion eurosh për Buxhetin e Shtetit vetëm nga ky operacion i paligjshëm.

Për këtë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë është kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it, dhe personi përgjegjës që firmos për shpenzimet dhe bilancet e kompanisë. Ministrja e Energjisë është Kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it, personi përgjegjës që firmos për shpenzimet dhe bilancet e kompanisë.

Pa miratimin e Belinda Ballukut, skema okulte e shitblerjes së energjisë jashtë bursës dhe abuzimi me miliona euro do të ishte ndalur. Si kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it, ministrja e Energjisë nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar praktikën e paligjshme të shit-blerjes së energjisë jashtë bursës, me një dëm të frikshëm prej gati 16 milion eurosh vetëm për periudhën e analizuar nga ana jonë.

Nga verifikimet e bëra prej ekspertëve tanë, KESH-i ka falsifikuar të dhënat e dorëzuara te Enti i Energjisë, për të fshehur tregtinë e paligjshme që ka bërë me energjinë, e cila shitet me çmime të ndryshme për fasha të ndryshme orari.

Këto fasha orari energjie të tregtuara jashtë bursës, KESH-i nuk i ka raportuar sepse kur të dhënat kryqëzohen, rezulton se kompania shtetërore e energjisë nuk ka mbrojtur interesin publik për të rritur fitimet apo minimizuar humbjet, por ka vepruar në interes të kompanive private për rritjen e fitimit të tyre.

Bardhi kërkon nga SPAK-u një “hetim të shpejtë dhe profesional” për atë që e quan “shkelje kaq masive e ligjit” dhe për një “abuzim kaq të madh me paratë e shqiptarëve”.