Sot gjatë një fjalimi vjetor në Kuvendin e Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani u shpreh se rrezikimi dhe cënimi i marrëdhënieve me shtetet aleate, cënon vetë vendin e vuri në dukje se është “një gabim strategjik”.
Të punosh me ata që na kanë ndihmuar ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në aleancat tona.
Duke folur në një seancë të bojkotuar nga dy prej tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetarja e shtetit nënvizoi se “aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.
Osmani bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj, sepse siç edhe tha:
Janë një gur themel i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë, ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo edhe cënimi i tyre, e cënon vetë mbrojtën e republikës sonë.
Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje është kritikuar dhe akuzuar gjatë këtij viti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Bashkimi Europian, për veprime të “njëanshme e të pakoordinuara” në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
Albin Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt e shprehet se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Më tej vë në dukje se marrëdhëniet me SHBA-të janë të mira edhe pse kanë mungesë dakordësie mbi disa çështje.
Ndër të tjera, presidentja Vjosa Osmani deklaroi:
Asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. I bëj thirrje spektrit politik të ketë angazhim të madh vitin e ardhshëm për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.