E ftuar në “Ndryshe” ka qenë moderatorja Orinda Huta, e cila ka folur rreth telefonatës kurth që ju bë përpara një javë në këtë emision. Për ata të cilët nuk e kanë parë ende, në rubrikën e telefonatës kurth të martën e kaluar ishte radha e Orindës. Kjo e fundit i është përgjigjur telefonatës së prezantueses së emisionit, Anxhela, e cila ka pretenduar se e njeh bashkëshortin e saj, Turjan Hysko, prej dy vitesh.
Jo vetëm kaq, Anxhela e ka vazhduar kurthin duke i thënë se Turi tani nuk do më asgjë me të dhe e keqja është se ka mbetur shtatzënë. Nga ana tjetër Orinda e ka dëgjuar duke mos reaguar dhe më pas i thotë “ah sa keq më vjen për ty”. Madje kur Anxhela i thotë se nuk do e heqë fëmijën, Huta thotë ‘sigurisht që jo se është mëkat’. Por jo vetëm kaq, pasi i thotë se mund t’a mbajë ajo.
Në këtë intervistë ekskluzive, ajo zbuloi se si e priti realisht këtë kurth dhe pse veproi në këtë mënyrë:
Jo jo, nuk u mërzita, sepse e di që mund të besoje që unë u mërzita nga Instagram Story që bëra. Por e di përse e bëra? Sepse kisha shumë komente dhe persona që më ndiqnin që thonin ‘Çfarë është kjo lojë? Çfarë është kjo shaka, përse qesh?’. Nush është se unë qesh me këtë, thjesht e kalova me sportivitet, sepse e kuptova që prej fillimit. Por e mirëkuptova që është shaka pa kripë.
Dhe mesa u kuptua, siç u lartpërmend, ajo e ka kaluar mjaft mirë si situatë dhe çdo gjë ka mbetur në kuadër të shakasë. Pavarësisht kësaj, Orinda vazhdoi të fliste edhe për karrierën e saj muzikore, të cilën ajo e ka lënë në një plan të dytë. Në lidhje me suksesin e këngës “Tani e di”, ajo u shpreh:
Sot që flasim, ka qenë në transmetim tek Kënga Magjike në atë kohë dhe ka qenë viti 2002. Në këto 21 vite, nuk ka pasur vit që nuk e kam kënduar, nuk kam pasur vit që nuk e kam dëgjuar. Ka 5 remixe dhe është një DJ i famshëm që do të bëjë një tjetër remix. Unë e publikoj, sepse e kuptoj që njerëzit e pëlqejnë. Ka edhe të rinj që janë njohur së fundmi me këngën dhe e pëlqejnë. Unë them gjithmonë ‘Oh Zot, sërish kjo kënga’.
Por përse Orinda ka hequr dorë nga muzika dhe a ka plane në të ardhmen për tu rikthyer sërish në këtë industri?
Televizioni të merr shumë kohë dhe kërkon shumë përkushtim. Unë e tentova që të rikthehem dhe kam bërë disa projekte gjatë kohës që punoja në televizion, por duke mos patur muzika fokusin e duhur, këto projekte pasi përfundonin janë thjesht tek celulari im. Nuk kanë dalë në transmetim, sepse mua nuk më pëlqenin më. Kështu që, në momentin që unë nuk kisha fokusin aty, tentoja të bëja diçka që të pëlqehej për momentin dhe nuk ishte diçka që unë doja. Të bësh muzikë duhet të harxhosh edhe para. Një këngë shkon minimumi 3 mijë euro. Nuk mund të harxhoja para dhe të ktheja projektet pas. Ndoshta në një moment të dytë. E kam menduar rikthimin dhe kam pasur një projekt me Pirro Çakon. U ulëm bashkë dhe i zgjodhëm këngët, por më pas ishte Covid. Ndonjë shkëputje mund të më risjelli sërish, por për qejf. Nuk do të kthehem për ta bërë profesion dhe për të fituar para prej kësaj.