Tre persona u arrestuan dhe shtatë të tjerë u proceduan nga policia në Korçë, në kuadër të operacionit të koduar “Adaptimi”. Sipas uniformave blu, këta shtetas u kapën duke luajtur lojëra fati në një lokal të paregjistruar në organet tatimore dhe që e kishte marrë me qira. Administrator ishte shtetasi me iniciale A.M, i cili ra në pranga me dy të tjerë. U sekuestruan 1 tavolinë për lojën e pokerit, 3 valixhe me çipsa, 6 pako me letra bixhozi, 4 celularë dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Adaptimi”.
Zbulohet një lokal i paregjistruar në organet tatimore, që ishte përshtatur për organizimin e lojërave të fatit.
Vihen në pranga 3 shtetas (njëri prej tyre administratori i lokalit) dhe procedohen në gjendje të lirë 7 shtetas të tjerë, të cilët u kapën në flagrancë në këtë lokal, duke organizuar/luajtur lojëra fati të paligjshme.
Sekuestrohen 1 tavolinë për lojën e pokerit, 3 valixhe me çipsa, 6 pako me letra bixhozi, 4 celularë dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një lokal ku luheshin lojëra fati, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Adaptimi”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. M., 26 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar”;
E. K., 38 vjeç, banues në fshatin Leshnicë, Pogradec, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
M. S., 21 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, për shtetasit: R. I., 25 vjeç, K. L., 20 vjeç, F. K., 30 vjeç, E. M., 30 vjeç, D. B., 36 vjeç, E. Sh., 28 vjeç dhe K. K., 49 vjeç, banues në Maliq dhe në Korçë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë të gjithë këta shtetas, duke luajtur lojëra fati në kundërshtim me ligjin, në një lokal të paregjistruar në organet tatimore, që e kishte marrë me qira dhe e administronte shtetasi A. M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.